BDI: Qëndrojmë fuqishëm krah çdo gazetari dhe intelektuali që guxon të thotë të vërtetën dhe të mbrojë interesin publik

BDI: Qëndrojmë fuqishëm krah çdo gazetari dhe intelektuali që guxon të thotë të vërtetën dhe të mbrojë interesin publik

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj sulmit ndaj automjetit të gazetarit Naser Selmani, duke e cilësuar atë si një akt të shëmtuar dhe të papranueshëm, që synon frikësimin dhe heshtjen e zërit kritik në vend.

Në një deklaratë për media, BDI thekson se liria e shprehjes dhe siguria e gazetarëve janë themele të çdo shoqërie demokratike, dhe se çdo përpjekje për t’i cenuar ato përbën “goditje të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë”.

“Çdo sulm ndaj një gazetari nuk është vetëm kundër një individi, por kundër të gjithë shoqërisë. Dhe kjo nuk mund të lejohet”, thuhet në deklaratë.

BDI u ka bërë thirrje institucioneve kompetente, veçanërisht Ministrisë së Brendshme, që të identifikojnë dhe ndëshkojnë autorët dhe porositësit e këtij akti kriminal sa më shpejt të jetë e mundur. Sipas partisë, çdo vonesë ose përpjekje për mbulim të rastit do të shihet si bashkëfajësi dhe si dështim i institucioneve për të mbrojtur qytetarët dhe lirinë e fjalës.

“Ne shprehim solidaritet të plotë me gazetarin Naser Selmani dhe mbështesim të drejtën e tij për të punuar i lirë, pa frikë dhe pa presione. Qëndrojmë krah çdo gazetari dhe intelektuali që guxon të thotë të vërtetën dhe të mbrojë interesin publik”, përfundon deklarata e BDI-së.

MARKETING