BDI: Pushteti ka humbur legjitimitetin, populli do të flasë në tetor

BDI: Pushteti ka humbur legjitimitetin, populli do të flasë në tetor

Partia opozitare BDI ka dalë me kritika ndaj pushtetit.

“Për gjithçka që nuk funksionon në këtë shtet, fajtorë qenka BDI-ja dhe shqiptarët. Për ngjarjet e 28 Nëntorit, fajtor BDI. Për Koçanin, fajtor BDI. Për zjarret, fajtor BDI. Kjo logjikë e mbrapshtë dhe diskriminuese, nuk është vetëm e rrezikshme, por e papranueshme.

Këtë herë, vijat e kuqe janë kaluar edhe atë me instrumentalizim të policisë, mediave si dhe kanaleve diplomatike në rrjetën e shpifjeve, për të legjitimuar gënjeshtra të fabrikimit politik. Kjo është jo vetëm e turpshme, por edhe e rrezikshme për sigurinë dhe reputacionin ndërkombëtar të shtetit.
Prandaj, nga sot, Bashkimi Demokratik për Integrim do të përballet institucionalisht dhe penalisht me çdo shpifës, me deklaratat e tyre publike që mendon se mund të shpëtojë dështimet e qeverisë përmes fajësimit të shqiptarëve.

Kemi të bëjmë me një qeveri që e ka humbur çdo legjitimitet. Një qeveri që e ka izoluar vendin, e ka shndërruar në instrument të interesave të botës serbe, ka djegur marrëdhëniet me fqinjët dhe ka shterruar çdo burim të durimit të qytetarëve. Një qeveri që njerëzit i digjen të gjallë nëpër zjarre, dhe askush nuk mban përgjegjësi, as politike, as ligjore.
Për këtë qeveri do të flasë populli në referendumin e tetorit.

Koha e shpifjeve ka mbaruar. Koha e përgjegjësisë po vjen”, thonë nga BDI.

MARKETING