BDI: Mosrespektimi i gjuhës shqipe, pasqyrë e një qeverie që refuzon realitetin multietnik të shtetit

BDI: Mosrespektimi i gjuhës shqipe, pasqyrë e një qeverie që refuzon realitetin multietnik të shtetit

Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media thotë se përdorimi i barabartë i gjuhëve zyrtare nuk është çështje teknike apo preferencë politike, është obligim ligjor, vlerë e bashkëjetesës dhe bazë e rendit demokratik, duke iu referuar komunikimit të Qeverisë.

MARKETING

Nga BDI thonë se prej kohësh, qytetarët shqiptarë ndihen të përjashtuar nga e drejta për qasje të barabartë në informacionet publike që burojnë nga institucionet shtetërore.

“Mungesa e shqipes, përkthimeve, përditësimet e vonuara dhe faqet zyrtare të paplotësuara në gjuhën shqipe janë dëshmi të qarta të një qasjeje përjashtuese që bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Edhe më shqetësuese është selektiviteti i qëllimshëm: për tema të tjera Qeveria reagon dhe informon, por kur bëhet fjalë për gjuhën shqipe, përgjigjja është heshtje dhe injorim. Kjo nuk është mungesë kapaciteti, por mungesë vullneti”.
“BDI rikujton se moszbatimi i Ligjit për gjuhët nuk është vetëm shkelje e ligjit, është goditje ndaj dinjitetit të qytetarëve shqiptarë dhe minon besimin e tyre tek institucionet e shtetit. Të drejtat gjuhësore nuk janë simbolikë, por pjesë e pandashme e të drejtave qytetare. U bëjmë thirrje institucioneve që gjuhën shqipe ta shohin si pasuri të përbashkët dhe si detyrim që forcon unitetin e shtetit. Barazia, përfshirja dhe transparenca nuk mund të mbeten slogane, ato duhet të ndihen në jetën e përditshme të çdo qytetari”.

“Nëse kjo qeveri nuk është e gatshme të respektojë një nga shtyllat kryesore të funksionimit të saj, atëherë e ka humbur të drejtën morale për të udhëhequr një shtet multietnik dhe evropian. BDI do të ndjekë nga afër këtë çështje dhe do të kërkojë llogari nga institucionet për këtë qasje diskriminuese”, thonë nga BDI.

MARKETING