BDI: Komuna e Çairit nuk ka paguar 850 anëtarë të komisioneve zgjedhore

BDI: Komuna e Çairit nuk ka paguar 850 anëtarë të komisioneve zgjedhore

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë lidhur me mos-pagesën e rreth 850 administratorëve dhe anëtarëve të organeve zgjedhore, të angazhuar në zgjedhjet lokale në Komunën e Çairit.

Në një konferencë për media, përfaqësuesi i BDI-së, Bujar Sopa, theksoi se sipas Kodit Zgjedhor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Komuna e Çairit ka detyrimin ligjor të paguajë këta persona, ndërsa deri tani kanë kaluar gati tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve dhe pagesat nuk janë realizuar.

BDI konsideron këtë si një papërgjegjësi të rëndë politike dhe dështim serioz në menaxhimin e financave publike, duke theksuar se edhe komunat me gjendje më të dobët financiare kanë përmbushur obligimet e tyre ndaj komisioneve zgjedhore.

Partia kërkon pagesë të menjëhershme për të gjithë anëtarët e organeve zgjedhore, llogaridhënie nga udhëheqësia e Komunës së Çairit dhe respektim të ligjit dhe dinjitetit të atyre që shërbyen në procesin zgjedhor.

“Demokracia nuk mbahet me fjalë, por me përgjegjësi, ligj dhe respekt për qytetarët. BDI nuk do të heshtë përballë kësaj padrejtësie dhe do të përdorë çdo mjet politik dhe institucional për ta detyruar Komunën e Çairit të zbatojë ligjin,” tha Sopa.

MARKETING