BDI: Komuna e Çairit, bankomat privat i dyshes Mexhiti–Ganiu

BDI: Komuna e Çairit, bankomat privat i dyshes Mexhiti–Ganiu

Përfaqësuesi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Sopa, ka denoncuar sot një rast të rëndë të keqpërdorimit të fondeve publike nga Komuna e Çairit, duke akuzuar drejtuesit komunal për shpërdorim të rreth 100 mijë eurove përmes një kontrate fiktive.

Sipas Sopës, kontrata në fjalë ka të bëjë me blerjen e materialeve të ashtuquajtura “propaganduese”, si: notesa, stilolapsa antibakterialë, bluza, çadra, kapele, broshura e defterë, në sasi që variojnë nga 100 mijë deri në 200 mijë copë.

“Jo vetëm që çmimet janë të fryra katër deri në pesë herë më shumë sesa vlera reale, por asnjë nga këto materiale nuk ekziston. Askush nuk i ka parë. Kjo është një kontratë e fabrikuar për të nxjerrë para nga buxheti komunal dhe për t’i kaluar ato në xhepa privatë,” – deklaroi Bujar Sopa në konferencën për media.

Kontrata në fjalë, sipas dokumentacionit të paraqitur nga BDI, kap vlerën e 5.854.806 denarëve (afërsisht 100 mijë euro).

Sopa theksoi se ndërkohë që banorët e Çairit përballen me probleme të mëdha sociale dhe ekonomike, drejtuesit e komunës shpenzojnë shuma të mëdha për artikuj që nuk ekzistojnë, duke e konsideruar këtë si “abuzim të pashembullt dhe poshtërim për qytetarët”.

BDI kërkoi transparencë të plotë, publikimin e faturave dhe raportet e pranimit të materialeve të pretenduara, si dhe përgjegjësi ligjore për të gjithë personat e përfshirë.

Në fjalimin e tij, Sopa drejtoi akuza konkrete ndaj dy zyrtarëve: Izet Mexhiti dhe Visar Ganiu, të cilët i quajti “dyshja e korrupsionit”, duke paralajmëruar se që nga 20 tetori, BDI do të ndërmarrë hapa konkretë për të hetuar marrëveshjen dhe për të ndjekur ligjërisht çdo denar të dyshuar si i vjedhur nga buxheti komunal.

MARKETING