Bayern Munich, kontrata e rinovimit të Musiala do të bëhet më ‘e rënda’ në historinë e klubit
Bayern Munich po përgatit një investim shumë të rëndësishëm për të ardhmen e ekipit, duke negociuar rinovimin e kontratës së Jamal Musiala, një prej talenteve më të mëdhenj të klubit. Drejtori sportiv Max Eberl po punon për të siguruar që lojtari të mbetet në ekip për një periudhë afatgjatë. Kontrata e re, që pritet të firmoset nga 1 janari, mund të zgjasë deri më 30 qershor 2030.
Sipas “Sportbild”, paga e Musiala do ta kalojë pragun e 20 milionë eurove në vit, duke rivalizuar emrat e mëdhenj si Lewandowski dhe Kane. Megjithatë, ndryshe nga këta të fundit, të cilët nënshkruan kontrata 4-vjeçare me bavarezët në moshën mbi 30 vjeç, Musiala pritet të firmosë një marrëveshje afatgjatë, që mund të tejkalojë shumën totale prej 100 milionë eurosh, duke u bërë kështu kontrata më e kushtueshme në historinë e Bayernit.
Të dyja palët kanë shprehur qartë dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin përtej kontratës aktuale, e cila skadon në vitin 2026. Kjo është përforcuar edhe nga deklaratat e fundit të vetë Musiala, i cili ka thënë se ndihet shkëlqyeshëm në Bavari.
Ky rinovim jo vetëm që përfaqëson një investim të rëndësishëm për Bayernin, por edhe një deklaratë të qartë mbi besimin që klubi ka në talentin e 20-vjeçarit si një prej shtyllave kryesore për të ardhmen.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.