Barcelona përgatit tri largime në ditët e ardhshme

Barcelona po punon kundër kohës për të balancuar financat, për të realizuar nënshkrime të reja dhe për të liruar hapësirë në një skuadër që trajneri Hansi Flick e konsideron të pabalancuar në disa aspekte, sipas gazetës Sport.
Në këtë drejtim, klubi është duke shqyrtuar largimin e disa lojtarëve këtë verë dhe tre emra janë aktualisht në listën e transferimeve të mundshme: Fermin Lopez, Marc Casado dhe Andreas Christensen.
Krahas emrave të konsoliduar si Frenkie de Jong dhe Pedri, Barça ka në dispozicion edhe të rinj premtues si Gavi, Dani Olmo dhe Marc Bernal, të cilët po konsiderohen pjesë e rëndësishme e projektit afatgjatë.
Në këtë kuadër, Marc Casado shihet si një nga hallkat më të dobëta, pasi humbi terren gjatë pjesës së dytë të sezonit të kaluar. Pavarësisht potencialit të tij, klubi është i hapur ndaj ofertave, me një vlerësim rreth 30 milionë euro.
Nga ana tjetër, Fermín López ka tërhequr interesim të madh nga Manchester United, i cili raportohet të jetë i gatshëm të ofrojë një shumë afër 70 milionë euro për shërbimet e tij.
Mesfushori ka refuzuar interesimin nga klube të tjera, përfshirë Chelsea dhe disa ekipe nga Arabia Saudite, por një kalim në Ligën Premier mund të bëhet realitet nëse dy klubet arrijnë marrëveshje.
Situata e Andreas Christensen është pak më ndryshe. Edhe pse nuk është prioritet për Hansi Flick, danezi ka treg dhe mund të luajë një rol kyç në përmirësimin e financave të klubit.
Drejtuesit janë të vetëdijshëm se shitjet e mençura janë thelbësore për të rifreskuar skuadrën dhe për të përmbushur kërkesat e regjistrimeve pranë La Ligës.
Presidenti Joan Laporta ka theksuar se procesi i regjistrimit të lojtarëve është duke ecur, por pranon se për të hapur rrugën për përforcime të reja, është e nevojshme që disa emra të largohen.
Gushti do të jetë një muaj vendimtar për të ardhmen sportive dhe financiare të Barcelonës.