“Barçagate”, fakte të reja thellojnë skandalin!

Një javë pas shpërthimit të skandalit “Barçagate”, fakte të reja kompromentojnë edhe më shumë pozicionin e klubit dhe të presidentit të tij, Joan Laporta.

E përditshmja madrilene “El Mundo” vazhdon të ketë akses në dokumente të rezervuara dhe publikoi së fundmi një letër dërguar Barcelonës në dhjetor 2018 nga avokati i ish-arbitrit Jose Maria Enriquez Negriera.

Përmbledhje e shkurtër e skandalit

Enriquez Negriera ka qenë arbitër nga 1975 deri në 1992 dhe që nga 1994 u bë zëvendëspresident i Komitetit të Arbitrave në Spanjë, detyrë që e ka mbajtur deri në 2018.

Që nga 2003 (edhe pse ka pretendime që nga 2001), një kompani e tij, Dasnil 95, është paguar nga Barcelona, që ka derdhur për arbitrin një shifër që në total i kalon 7 milionë eurot, me pagesa prej gjysmë milioni euro në 2016, 2017 dhe 2018.

Zyrtarisht, Dasnil 95 ofronte për Barcelonën një shërbim konsulencë për arbitrat në aktivitet. Informacione që janë paguar me çmime të egzagjeruara dhe të kryera për dikë që kishte një pozicion të fuqishëm vendimmarrës në sistemin arbitral në momentin e pagesave.

Letra e parë

Në 2018 Enriquez, Negriera humbi vendin e zv/presidentit dhe Barcelona vendosi që menjëherë të ndërpriste marrëveshjen me Dasnil 95.

Kjo gjë irritoi ish-arbitrin, që, siç lexohet në një letër të parë të publikuar nga “El Mundo” pak ditë më parë, kërcënoi Barcelonën se do të publikonte raportin e tyre disavjeçar, duke lënë të kuptohet se kjo gjë do të shpërthente një skandal të madh.

Dhe letra e dytë

Sot, “El Mundo” publikon një tjetër letër, që daton në dhjetor 2018 dhe që në rend kronologjik është para letrës tjetër, në të cilën avokati i Dasnil 95 kërkon pagesën e thuajse 300 mijë eurove për periudhën qershor-dhjetor 2018, kur, siç është thënë, Barcelona kishte vendosur të mos shfrytëzonte më konsulencën e Enriquez Negrieras, që, pikërisht në qershor, kishte lënë detyrën e tij në Federatën Spanjolle.

Joan Laporta

Duke kërkuar një këst të fundit pagese për klientin e tij avokati thotë gjëra interesante teksa ka shkruar: “Që nga viti 2003 shoqëria Dasnil 95, e drejtuar nga zoti Enriquez, ka kryer shërbime konsulence teknike me udhëzimin e presidentëve, zoti Laporta, zoti Rosell dhe zoti Bartomeu, duke rakorduar honoraret për çdo mandat presidencial, të fragmentizuara në të përvitshme dhe pastaj në mujore”.

Kjo është interesante, pasi është hera e parë që emri i presidentit aktual të Barcelonës, që ka mbajtur këtë detyrë edhe nga 2003 në 2010, përmendet në mënyrë eksplicite.

Ekskluzive

Në letrën e avokatit kujtohet se si Barcelona i ka kërkuar Dasnil 95 një raport bashkëpunimi ekskluziv, duke i ndaluar kompanisë të bashkëpunonte me ente apo klube të tjera.

Dhe, efektivisht, sipas “El Mundo”, 95% e të ardhurave të Dasnil 95 vinin nga faturat e paguara nga Barcelona.

Konfidencialiteti

“Që nga fillimi e deri tani, është e ditur se raporti ka qenë më se i mirë, dhe, duke punuar ngushtësisht me presidencën, janë ndërtuar raporte besimi dhe konfidencialiteti të cilat klienti im i ka shijuar përgjatë këtyre viteve.

Kjo ka sjellë një situata transgresioni, me besimin dhe favoret që kanë kaluar nga niveli profesional në nivel personal”.

MARKETING