Ballkani kërkon të arrijë atë që nuk e ka arritur asnjë skuadër nga Kosova

Ballkani kërkon të arrijë atë që nuk e ka arritur asnjë skuadër nga Kosova

Pas një ndeshje perfekte një javë më parë në Fadil Vokrri ku fituan me shifrat 2-0 ndaj Ludogorets, Kampionët e Kosovës, Ballkani kanë nevojë edhe një për tjetër sforco. Këtë herë në transfertën bullgare teksa të besuarit e trajnerit Ilir Daja duhet të ruajnë avantazhin dhe të prekin kualifikimin për në raundin e dytë të Champions League.

Në Huvepharma Arena të Razgradit nuk do të jetë e lehtë, megjithatë skuadra nga Suhareka ka treguar se në ndeshjet europiane shfaq versionin e saj më të mirë. Në konferencën për shtyp trajneri Ilir Daja e theksoi se skuadra e tij nuk do të “parkojë autobuzin”, por do të kërkojë të bëjë lojën e saj pavarësisht fitores 2-0.

Një kualifikim i mundshëm në raundin e dytë do të hapte rrugën e Ballkanit dhe minimalisht do t’i garantonte “Play-Off-in” e Conference League. Kujtojmë se në rast se Kampionët e Kosovës kalojnë Ludogorets atëherë do të përballen në raundin e dytë të Champions me me fituesen e çiftit Valmiera-Olimpija Ljubjanë. Në ndeshjen e parë ishte skuadra sllovene ajo që fitoi me shifrat 2-1 dhe duket më e avantazhuara për një përballje të mundshme me Ballkanin.

Ndërkohë, në rastin e skenarit më të keq, pra një eliminimi të Ballkanit, atëherë suharekasit do të kalonin në raundin e dytë të Conference League dhe do të ndesheshin me fituesin e çiftit HJK Helsinki-Larne. Në ndeshjen e parë ishin finlandezët ata që fituan me shifrat 1-0.

 

MARKETING