Bajram Rexhepi: Fitorja jonë në Tetovë do të jetë me 12% avantazh

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, deklaroi se, sipas anketave të fundit, ai gëzon një epërsi prej mbi 11 deri në 12 përqind ndaj kundërkandidatit të tij në garën për kryetar komune.
Në një intervistë në emisionin “Debat në SHENJA”, Rexhepi u shpreh se kjo përparësi nuk është vetëm statistikore, por pasqyrohet edhe në mbështetjen që ai po merr çdo ditë në terren.
“Në anketat e fundit rezulton se dallimi do të jetë mbi 11 ose 12% në favorin tonë. Kjo reflektohet edhe në vizitat e përditshme që kemi në terren. Një numër i madh i qytetarëve, që më parë kanë qenë mbështetës të kundërshtarëve tanë, tashmë po na bashkohen,” tha Rexhepi.
Ai theksoi se kjo valë e re mbështetjeje ka shkaktuar panik te kundërshtari, i cili, sipas tij, përpiqet të krijojë një perceptim të rremë se është në avantazh përmes një mase klienteliste.
“Ata janë në panik dhe mundohen ta ruajnë atë masën klienteliste të njerëzve, kinse janë në avantazh në Tetovë. Kjo nuk është aspak e vërtetë,” shtoi ai. /SHENJA/