Azir Aliu: Digjitalizimi do të zgjidhë listat e pritjes në shëndetësi

Ministri i ri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Azir Aliu, ka mbajtur sot konferencën e tij të parë për shtyp pas marrjes së detyrës. Ai theksoi se prioriteti i tij kryesor do të jetë menaxhimi efikas i sistemit shëndetësor dhe eliminimi i listave të pritjes për operacione dhe terapi, përmes transparencës dhe digjitalizimit.
MARKETING
“Unë jam doktor i shkencave informatike, jo mjek. Nuk do të operoj zemra, por do të krijoj sisteme funksionale dhe transparente, që do t’u mundësojnë kardiologëve të operojnë në kohë reale, me pajisje të duhura dhe pa vonesa,” deklaroi Aliu. “Digjitalizimi është mënyra më e mirë për të përmirësuar trajtimin dhe për të pasur një pasqyrë të qartë për pacientët që presin për një ndërhyrje.”
Ai njoftoi nisjen e një programi të ri shëndetësor për skanimin e qytetarëve mbi moshën 40 vjeç, duke ofruar kontrolle falas me fokus në parandalimin e sëmundjeve të rënda.
“Do të krijojmë një platformë për regjistrimin online të qytetarëve. Parandalimi është kyç – rreziqet reduktohen me 30-40% nëse sëmundjet zbulohen herët. Kjo nismë nuk fillon menjëherë, por do të hartojmë një program të qëndrueshëm për skanimin shëndetësor,” u shpreh ai.
Ministri Aliu tha gjithashtu se shqyrtimi i gjendjes në spitalin e Koçanit do të jetë ndër hapat e parë të tij në detyrë. Ai bëri të ditur se nesër do të zhvillojë një takim me drejtoreshën e spitalit dhe me pacientët e plagosur në zjarrin e fundit që ndodhi në diskotekën “Pulse”.