Azem Sadiki shpall kandidaturën si kandidat i pavarur për kryetar të Studeniçanit

Kryetari aktual i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për një mandat të ri, duke garuar si kandidat i pavarur në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Në një njoftim drejtuar qytetarëve, Sadiki theksoi se vendimi për rikandidim vjen si rezultat i ndjenjës së thellë të përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj komunës dhe banorëve të saj. Ai falënderoi qytetarët për mbështetjen e deritanishme dhe për besimin e treguar gjatë mandateve të kaluara.
“Kam qenë i përkushtuar që të punoj pa ndërprerje, duke vënë gjithmonë interesin e qytetarëve në radhë të parë,” theksoi Sadiki, duke përmendur se nën udhëheqjen e tij janë realizuar projekte të shumta që kanë ndikuar pozitivisht në jetën e përditshme të komunitetit.
Ai bëri të ditur se aktualisht janë në zbatim disa projekte kapitale me ndikim afatgjatë për zhvillimin e qëndrueshëm të komunës.
Sa i përket planeve për të ardhmen, Sadiki theksoi synimin për të transformuar Komunën e Studeniçanit në një destinacion tërheqës për investitorë vendas dhe të huaj, si dhe për të zhvilluar industrinë e lehtë dhe turizmin malor, një potencial i pashfrytëzuar i zonës.
“E ardhmja e Komunës së Studeniçanit është në duart tona – me përkushtim, transparencë dhe punë të ndershme, mund të bëjmë edhe më shumë për të gjithë qytetarët tanë,” përfundoi Sadiki.