Avokati i Thaçit: Dënimi do të ishte padrejtësi historike

Avokati i Thaçit: Dënimi do të ishte padrejtësi historike

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, tha se shpallja fajtor e ish-presidentit të Kosovës do të përbënte “padrejtësi historike”. Ai iu drejtua gjykatësve gjatë fjalës përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, duke u thënë se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet. Avokati kritikoi mënyrën e mendimit të Prokurorisë së Specializuar, që kërkoi 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve.

LUKA MISHETIQ, AVOKAT I HASHIM THAÇIT

Argumentet e ZPS-së nuk përbëjnë interpretimin e arsyeshëm të vetëm të provave, që është standardi që duhet arritur që ju ta rishkruani historinë e Kosovës, në këtë rast për ta gjetur fajtor Hashim Thaçin. Ka dyshime të bazuara të mjaftueshme për ju që ta shpallni atë jofajtor për të gjitha pikat e aktakuzës”.

Misetiq u fokusua te pika e akuzës së Prokurorisë se ka ekzistuar një ndërmarrje e përbashkët kriminale, në krye me të akuzuarit, me qëllim të marrjes nën kontroll të gjithë Kosovës. Avokati u ka thënë gjyqtarëve se nuk ka pasur prova të drejtpërdrejta që ka ekzistuar një plan i tillë.

LUKA MISHETIQ, AVOKAT I HASHIM THAÇIT

Nuk ka pasur prova të takimeve ku është diskutuar ky synim, dokumente shkresore që të tregohet se është rënë dakord apo është diskutuar ky synim, nuk ka dhënë dëshmi asnjë dëshmitar lidhur me ekzistencën e këtij synimi. Në fakt, secili prej dëshmitareve që e ka pasur mundësinë të flasë për këtë çështje, e ka hedhur poshtë teorinë e ZPS-së, dhe për më keq, ZPS-ja nuk i ka bërë pyetje asnjë dëshmitari”.

Pasi të jepen të gjitha deklaratat përmbyllëse, që parashihet të kryhen deri më 18 shkurt, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, që ka tre muaj kohë për shpalljen e një aktgjykimi. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata për krime lufte. /SHENJA/

 

MARKETING