Avioni i Wizz Air nga Shkupi për në Paris detyrohet të ulet në Bruksel
Një avion i kompanisë ajrore Wizz Air, i cili mëngjesin e sotëm po fluturonte në linjën Shkup–Paris, është detyruar të ndryshojë itinerarin dhe të bëjë ulje emergjente në aeroportin Charleroi në Bruksel, pasi ekuipazhi shpalli gjendje emergjente për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të një pasagjeri.
Sipas raportimeve mediatike, ndërsa avioni ndodhej në hapësirën ajrore mbi Luksemburg, pilotët kanë kërkuar ulje urgjente në aeroportin më të afërt, me qëllim që pasagjerit t’i ofrohej ndihma e nevojshme mjekësore.
Të dhënat nga platforma Flight RouteXplorer tregojnë se gjendja emergjente është shpallur rreth dy orë pas ngritjes së avionit. Bëhet fjalë për fluturimin W64719, i realizuar me avion të tipit Airbus A321neo.
Edhe platforma Flightradar24 konfirmon se avioni, në vend që të ulej në Paris, ka përfunduar fluturimin në Bruksel.

