Avionët luftarakë izraelitë shënjestrojnë një spital në Gazën qendrore

Avionët luftarakë izraelitë kryen sulme ajrore ndaj një spitali në Rripin qendror të Gazës sipas Zyrës së medias të Qeverisë së Gazës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, zyra njoftoi se avionët luftarakë izraelitë bombarduan tendat që strehonin palestinezët e zhvendosur në oborrin e Spitalit të Dëshmorëve Al-Aksa në Deir al-Balah, duke rezultuar në një numër të madh lëndimesh dhe dëmesh materiale.
“Ishte hera e 14-të që spitali është shënjestruar nga ushtria izraelite që nga fillimi i luftës gjenocidale në Rripin e Gazës, gjë që pasqyron një këmbëngulje të qartë në shënjestrimin e infrastrukturës shëndetësore dhe shkeljen e ligjeve ndërkombëtare që ndalojnë dëmtimin e objekteve mjekësore dhe civilëve”, thuhet në deklaratë.
Zyra e medias dënoi agresionin e vazhdueshëm kundër spitaleve në Rripin e Gazës dhe mbajti “përgjegjës pushtimin izraelit, së bashku me administratën amerikane dhe shtetet bashkëpunëtore, plotësisht për këto krime sistematike”.
Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe OKB-së të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ndaluar krimet izraelite dhe për të siguruar mbrojtje urgjente për spitalet dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor në Rripin e Gazës.
Izraeli ka vrarë gati 63.500 palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me zi buke.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.