Autonomia gjyqësore në fokus të konferencës “Forcimi i pavarësisë dhe llogaridhënies gjyqësore përmes efikasitetit më të madh të procedurave”

Nevoja për reforma thelbësore, efikasitet më të madh të procedurave gjyqësore dhe avancimi i autonomisë gjyqësore kanë qenë në fokus të konferencës së gjyqtarëve “Forcimi i pavarësisë dhe llogaridhënies gjyqësore përmes efikasitetit më të madh të procedurave” e cila mbahet sot nën organizim të Shoqatës së gjyqtarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup.
“Kujtojmë në përgjegjësinë unike të sistemit të drejtësisë për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar se drejtësia mund të arrihet. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për sfidat që dalin nga presionet, procedurat e ngadalësuara dhe korrupsioni. Janë pikërisht këto sfida që kanë ulur besimin e opinionit në sistemin e drejtësisë”, deklaroi ambasadori Kilian Uall, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.
Ai theksoi se fokusi në efikasitetin e procedurave nuk është vetëm një çështje administrative.
“Ky nuk është vetëm një përmirësim teknik. Ky është një drejtim strategjik – kur drejtësia aplikohet shpejt dhe me transparencë, forcon të gjithë demokracinë”, ka thënë ambasadori Uall.
Siç theksoi ai, në periudhën e ardhshme Misioni i OSBE-së do të përqendrohet në mbështetjen e reformave legjislative dhe përmirësimeve institucionale.
“Besojmë se përmes reformave, investimeve dhe veprimeve mund të ripërtërijmë besimin e qytetarëve. Drejtësia duhet të triumfojë jo vetëm në teori, por edhe në praktikë. Vetëm përmes veprimit ndodhin ndryshimet”, theksoi ai.
Ivan Xholev, kryetar i Shoqatës së gjyqtarëve bëri thirrje për unitet dhe përballje me sfidat reale në sistem.
“Ideja e kësaj konference është të tregojmë se jemi të bashkuar. Të gjithë gjyqtarët përballen me të njëjtat kufizime – nga mungesa e resurseve njerëzore, përmes mosfunksionimit të disa shërbimeve shtetërore, deri te problemet me mbipopullimin në qendrat e paraburgimit. Nuk mund të mbetemi të nemitur kur këto probleme prekin drejtpërdrejt qytetarët dhe dëmtojnë imazhin e gjyqësorit”, tha Xholevi.
Duke iu referuar ngjarjeve aktuale, Xholevi theksoi gjithashtu nevojën për mobilizim institucional.
“Fatkeqësia në Koçan duhet të jetë një alarm – një kujtesë se duhet të veprojmë më me efikasitet, veçanërisht në procedurat parahetimore dhe hetimore”, theksoi ai.
Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit gjyqësor, theksoi lidhjen midis pavarësisë së gjyqësisë dhe autonomisë financiare.
“Pavarësia e gjyqësorit nuk është privilegj i gjyqtarëve, por një garanci thelbësore për të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve. Gjykata nuk mund të jetë e pavarur nëse nuk ka autonomi financiare. Reformat duhet të nënkuptojnë ndryshime themelore – jo vetëm ndryshime ligjore, por një ndryshim në organizimin, qasjen dhe mentalitetin e sistemit”, ka thënë ai.
Xhemali Saiti, ushtrues detyre kryetar i Gjykatës Supreme, ishte i prerë se koordinimi institucional midis degëve të pushtetit është thelbësor.
“Fatkeqësisht edhe krahas reformave të shumta, sot sikur jemi në fillim fare. Të njëjtat debate, të njëjtat përpjekje, shpresë e re, ndërsa problemet e vjetra ende nuk janë tejkaluar”, ka thënë Saiti.
Ai tha se bartësit e institucioneve gjyqësore duhet të jenë nxitësit e ndryshimit.
“Veçanërisht është i rëndësishëm qasja profesionale dhe integriteti i të gjithë neve. Ndërkohë, Këshilli gjyqësor dhe Gjykata Supreme duhet të jenë nxitësit e këtij procesi”, ka thënë ai.
Konferenca vazhdon me diskutime në panel, ku gjyqtarët dhe ekspertët ligjorë pritet të ofrojnë propozime dhe zgjidhje konkrete për përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë.