Atentati i dështuar në Elbasan, zbardhet dëshmia e autorit: Doja ta vrisja se më ka lënë vëllain të paralizuar

Atentati i dështuar në Elbasan, zbardhet dëshmia e autorit: Doja ta vrisja se më ka lënë vëllain të paralizuar

Një konflikt i nisur rreth 15 vite më parë dyshohet se mund të jetë në themel të atentatit të dështuar në Elbasan, ku shënjestër ishte 50-vjeçari Ermir Kërtezi.

MARKETING

Description of image

52-vjeçari Poli Boriçi, i arrestuar pas ngjarjes, ka deklaruar para hetuesve se sulmi lidhej me një episod të së kaluarës, duke pretenduar se Kërtezi kishte plagosur vëllain e tij. Sipas versionit të dhënë prej tij, pasojat e plagosjes kanë qenë të rënda dhe kanë çuar deri në paralizimin e të vëllait.

Megjithatë, kjo dëshmi nuk përputhet me deklarimet e Kërtezit, i cili ka mohuar se mes dy familjeve kishte ende një konflikt aktiv. Ai ka pohuar se marrëdhëniet ishin normalizuar prej vitesh dhe se familjet banonin pranë njëra-tjetrës pa pasur probleme gjatë rreth 15 viteve të fundit.

Pikërisht kjo kontradiktë ka bërë që grupi hetimor të verifikojë me imtësi historinë e marrëdhënieve mes palëve. Krahas konfliktit të vjetër, hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë e një përplasjeje më të afërt në kohë mes autorit dhe personit që ishte në shënjestër.

Ngjarja ndodhi rreth orës 12:40 të së shtunës, në një lokal në hyrje të Elbasanit, në një moment kur ambienti ishte i mbushur me klientë.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë, Kërtezi shfaqet i veshur me bluzë të zezë teksa ndodhet fillimisht brenda lokalit. Ai kalon në pjesën e jashtme të barit dhe ndalet për disa sekonda.
Në këtë moment, sipas pamjeve, Boriçi, i cili ndodhej në lokal së bashku me bashkëshorten, ngrihet dhe i afrohet. 52-vjeçari nxjerr armën dhe ia drejton Kërtezit në kokë, por mekanizmi i armës dyshohet se nuk funksionon.

Kërtezi ka reaguar menjëherë, duke e shtyrë autorin dhe duke u larguar me shpejtësi nga vendi. Boriçi e ka ndjekur për disa metra, përpara se të largohej edhe vetë.

Arratisja ka zgjatur pak. Policia ka arritur ta lokalizojë 52-vjeçarin dhe ta arrestojë, ndërsa arma e zjarrit që dyshohet se u përdor gjatë sulmit është sekuestruar si provë materiale.

Tashmë hetimi është përqendruar në zbardhjen e plotë të historisë së konfliktit, verifikimin e ngjarjes së ndodhur rreth 15 vite më parë dhe përcaktimin nëse ajo ka qenë realisht motivi i atentatit apo nëse pas përplasjes fshihen zhvillime të tjera më të fundit.

MARKETING