“Askush nuk i premtoi kurrë se do ta shisnim këtë verë”, Newcastle i përgjigjet akuzave të Isak

Ylli suedez i futbollit, Alexander Isak, foli për herë të parë mbrëmë (e martë) rreth dëshirës së tij për t’u larguar nga Newcastle United, dhe nuk iu desh shumë kohë klubit të fliste hapur dhe t’i dërgonte publikisht një mesazh të ashpër.
Isak kërkoi largimin nga ‘St James Park’ duke zbuluar se janë thyer premtimet dhe besimi është humbur mes palëve.
“Kur premtimet thyhen dhe besimi humbet, marrëdhënia nuk mund të vazhdojë. Unë besoj fuqimisht se ndryshimi është në interesin më të mirë të të gjithëve, jo vetëm timin. Kështu janë gjërat tani, për sa më përket mua”, shkroi Isak në rrjetet sociale.
Menjëherë pas kësaj, Newcastle lëshoi një deklaratë duke dënuar veprimin e Isakut dhe duke zbuluar se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë premtim për shitje.
“Jemi të zhgënjyer që mësuam për njoftimin e Alexander Isak nëpërmjet rrjeteve sociale sonte. Ne e themi qartë se Alex mbetet nën kontratë dhe se asnjë drejtues klubi nuk i ka dhënë ndonjëherë premtim se ai mund të largohet këtë verë”.
“Kushtet për shitjen e tij këtë verë nuk janë përmbushur dhe nuk presim që kjo të ndryshojë. Alex është pjesë e familjes sonë dhe do të jetë i mirëpritur kur të ribashkohet me shokët e ekipit”, thuhet në deklaratën e Newcastle.
Kujtojmë se më parë Newcastle kishte refuzuar dy oferta nga Liverpool për Isakun, dhe e fundit ishte 140 milionë euro.
Kanë mbetur edhe 11 ditë deri në fund të afatit kalimtar dhe do të shohim nëse do ta shohim Isakun me fanellën bardh e zi apo të kuqe këtë sezon.