ASH Sela ndahet nga AKI: Do të veprojmë në mënyrë autonome dhe si grup i pavarur në Kuvend

ASH Sela ndahet nga AKI: Do të veprojmë në mënyrë autonome dhe si grup i pavarur në Kuvend

Kryesia e Aleancës për Shqiptarët diskutoi zhvillimet politike dhe rezultatet e zgjedhjeve lokale. Partia vendosi të veprojë në mënyrë autonome dhe deputetët e saj do të formojnë grup të pavarur në Kuvend.

“Kryesia e Aleancës për Shqiptarët mbajti mbledhjen e radhës në të cilën u diskutua situata aktuale politike, procesi dhe epilogu i zgjedhjeve lokale, si dhe hapat e mëtejmë të subjektit tonë politik. Në zgjedhjet e fundit lokale, koalicioni me të cilin garuam doli fitues në nivel kombëtar, me sasinë e votave të fituara në listat për këshilltarë dhe numrin e këshilltarëve të fituar, por jemi të pakënaqur nga epilogu në garën për kryetarë komunash ku u përballëm me një inzhinjering të fuqishëm shtetëror dhe bashkëveprime të subjekteve shqiptare në pushtet me partitë maqedonase nga të gjitha kampet, me të vetmin qëllim, realizimin e platformës së VMRO-së për defaktorizimin e shqiptarëve në vend. Nga këto skenare më shumë se ne si subjekte humbën vetë shqiptarët, pasi pas pushtetit qendror, tani shqiptarët u degraduan edhe në nivel të pushtetit lokal. Por, edhe përskaj kësaj situate Aleanca për Shqiptarët mbetet e vendosur në mbrojtjen e kauzës kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut duke e vlerësuar si të rëndësishëm rritjen dhe forcimin e angazhimit politik për arritjen e idealit dhe objektivit tonë”, thonë nga ASH.

Në njoftim më tej thuhet se pas diskutimeve përmbajtësore dhe shumë të rëndësishme, anëtarët e Kryesisë në mënyrë unanime sollën vendim për veprim autonom të Aleancës për Shqiptarët, ndërsa ditëve në vijim deputetët e ASH do të procesojnë në Kuvend edhe vendimin për veprim si grup i pavarur.

“Periudhën në vijim, strukturat dhe eksponentët e partisë do të fillojnë me takime jo vetëm të anëtarëve të partisë, por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, aktorëve qytetar e politik dhe të çdo individi ose organizimi për të forcuar radhët tona dhe për të zhvilluar betejën tonë politike në këto momente shumë të ndjeshme politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftim.

Sela, këtë vendim e paralajmëroi edhe mbrëmë në emisionin “Debat në Shenja”, duke sinjalizuar qartë drejtimin e ri politik të ASH-së.

MARKETING