ASH: Me dërgimin në Komisionin e Venecias, ligji për përfaqësim mund të zgjas edhe 1 vit

Me dërgimin në Komisionin e Venecias, ligji për përfaqësim mund të zgjas edhe 1 vit – A e kuptoi VLEN-i se kush e pengon miratimin?
MARKETING
Aleanca për Shqiptarët konfirmon kumtesën paraprake të mëngjesit kur tha që: Vonesa e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat po bëhen nga VMRO-DPMNE, por që vazalët e VLEN-it nuk dëshirojnë ta kuptojnë dhe ta ta pranojnë.
Sot u vërtetua ajo që përsërit disa ditë me radhë Aleanca për Shqiptarët. Shefi i tyre, kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat do të kalojë së shpejti në njërën nga seancat qeveritare, por pa saktësuar se kur. Shqetësuese është fakti që Mickoski paralajmëroi se drafti i ligjit do të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias. Me gjasë, miratimi i ligjit mund të zvarritet edhe për një vit, dhe këtë e mbështesim me praktikat e mëhershme.
Kujtojmë që ligji për përdorimin e gjuhëve u dërgua në Komisionin e Venecias në janar të vitit 2019 dhe mendimi erdhi pas gati një viti, në dhjetor të vitit 2019, kurse sot Mickoski e pranon se procesi do të përsëritet edhe këtë herë për ligjin e ri për përfaqësim adekuat gjatë punësimeve në administratën publike.
Pohimet e Mickoskit konfirmojnë akuzën tonë të vazhdueshme se vonesat në miratimin e ligjit nuk kanë të bëjnë me Arben Taravarin, por janë rezultat i strategjisë së qeverisë dhe kryeministrit Mickoski për të shtyrë procesin, duke lënë shqiptarët pa mbrojtje ligjore për përfaqësim adekuat në administratën publike.
Ndërkohë që sistemi i balancuesit, që garantonte këtë përfaqësim, u hoq me propozimin e ish-ministrit Azir Aliu dhe VMRO-DPMNE-së, shqiptarët mbeten pa asnjë garanci ligjore për të drejtat e tyre.
Aleanca për Shqiptarët i bën thirrje kryeministrit Mickoski dhe VMRO-DPMNE-së që të ndalin lojën me të drejtat e shqiptarëve dhe të veprojnë menjëherë për miratimin e ligjit për përfaqësim adekuat, pa asnjë vonesë tjetër.
Çdo zvarritje është tradhti ndaj votuesve shqiptarë dhe pengesë për zhvillimin e një shoqërie të barabartë dhe të drejtë, dhe kjo situatë duhet të jetë alarm për përaqësuesit e VLEN-it në qeveri, që ende se kuptojnë që po nënçmohen dhe janë shndërruar në vazalë.
Aleanca për Shqiptarët