ASH e Taravarit: Heshtja e VLEN-it është vazalitet, Maqedonia po tërhiqet në orbitën e “Botës Serbe”

Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, ka reaguar ashpër ndaj një marrëveshjeje të nënshkruar mes Fondit Pensional dhe të Sigurimit Invalidor të Maqedonisë së Veriut dhe institucionit homolog të Republikës Srpska, entitetit autonom brenda Bosnjë-Hercegovinës.
Në deklaratën zyrtare, Aleanca e cilëson këtë akt si “skandaloz” dhe paralajmëron se bashkëpunimi me një entitet të udhëhequr nga Milorad Dodik, i shpallur fajtor nga Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës dhe i sanksionuar ndërkombëtarisht, përbën rrezik për sigurinë dhe orientimin euroatlantik të vendit.
“Në një kohë kur e gjithë bota demokratike po e izolon Dodikun, qeveria e Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshje me institucionet e tij, duke i dhënë oksigjen politik një figure të lidhur ngushtë me projektin e ‘Botës Serbe’, krah Putinit dhe kundër NATO-s e BE-së,” thuhet në deklaratë.
Partia shqiptare në opozitë kritikon edhe heshtjen e koalicionit qeveritar VLEN, duke e quajtur “shqetësuese dhe tregues të mungesës së guximit për të mbrojtur interesat strategjike të vendit”.
“VLEN u shfaq para qytetarëve si faktor i ndryshimit, por sot po mbyll sytë përballë afrimit të rrezikshëm me Republikën Srpska,” thekson më tej Aleanca për Shqiptarët.
Në përfundim të deklaratës, partia i bën thirrje qeverisë që të sqarojë opinionin publik mbi arsyet e kësaj marrëveshjeje dhe të ndalojë “politikën e rrezikshme që cenon rendin ndërkombëtar dhe vlerat euroatlantike”.