Arslan dhe Adem: Besojmë ne rezultat pozitiv
FC Shkupi nesër do të pret Levskin e Sofjes për ndeshjen e parë të xhiros së dytë eliminatore në Ligën e Konferencës. Skuadra nga Çairi u kualifikua për në raundin e dytë me shumë stil, ku me shifra të përgjithshme 5:0 eliminoi Hegelmanin e Lituanisë, ndërkohë nesër mbrëma përballë vetes ka një kundërshtarë më të vështirë dhe më serioz, por nga tabori bardheblu janë shprehur optimist se do të luftojnë për rezultat pozitiv.
Xhihad Arslan, trajner
“Sigurisht që Levski është një kundërshtar më serioz se ai që kishim më parë. Është një ndeshje e re dhe një strategji e re për të. I gjithë koncepti i ndeshjes po ndryshon dhe natyrshëm përgatitemi duke pasur parasysh kundërshtarin. Levski ka një ekip të mirë me disa futbollist cilësor dhe ne po përgatitemi për të dhënë më të mirë tonë. Levski është një ekip serioz, ka vite që është pjesë e garave evropiane. Levski luan futboll sulmues dhe ka lojtarë të tillë. Ne në ndeshjen e fundit treguam disa dobësi dhe duhet ta rregullojmë këtë. Do të përpiqemi të jemi më kreativë. Për ne çdo rezultat është pozitiv kur është në pyetje fitorja. Me përkushtim të madh në punë, mendojë se do ta arrijmë atë që nuk e kemi arritur deri sot”.
Ali Adem, futbollist
“Pas ndeshjes me Hegelmanin, të gjithë jemi të fokusuar për sfidën me Levskin. Me ndihmën e tifozëve, shresojmë në rezultat pozitiv. Fitorja 5:0 është pas nesh, koha është për gjëra të reja. Jemi të fokusuar maksimalisht dhe besojmë se do të arrijmë sukses. Ky ekip i Shkupit ka cilësi për të arritur shumë dhe këtë do ta tregojmë në ndeshjen e nesërme”.
Shkupi për sfidën ndaj Levskit nuk do të ketë mungesa, pasi trajneri turk Xhihad Arslan ka në dispozicion të gjithë futbollistët. Ndeshja ndërmjet Shkupit dhe Levskit do të luhet nesër në mbrëmje në stadiumin “Todor Proeski”, duke nisur nga ora 21:00.
Aziz Sahiti/SHENJA/