Arsimi apo Bashkimi, sot vendoset për në Ligën e Parë

Me mbylljen e sezonit në elitën e futbollit vendor, sot pritet të vendoset se cilat nga dy ekipet e Ligës së Dytë do të inkuadrohet direkt në Ligën e Parë dhe cila do të luaj në balotazh. Pasditen e sotme në program është xhiroja e 30-të dhe e fundit në Ligën e Dytë, ku Makedonija Gjorçe Petrovi si lidere, shihet si skuadra më e avansuar për hyrje në elitë, teksa në garë janë edhe dy ekipet shqipare, Arsimi i Çegranit në vendin e dytë me 62 pikë dhe Bashkimi në pozitën e tretë me 60 pikë. Të dyja skuadrat shqiptare ndeshjet e fundit të sezonit i luajnë në transfertë, me Bashkimin që luan në Shtip kundër Bregallnicës së vendit të katërt, teksa Arsimi do të takohet me Vardar Negotinën. Të gjitha takimet nisin sot nga ora 17:00. Kujtojmë se vendi i tretë në renditje luan ndeshje balotazhi me skuadrën e vendit të 10-të në elitë që në këtë rast është Besa e Dobërdollit.