Arrestohet përsëri 18 vjeçari nga Pallatica e Tetovës, kërcënoi me bomba shkollën e mjekësisë
18 vjeçari M.R. nga Pallatica e Tetovës është arrestuar nën dyshime se dërgonte mesazhe me kërcënime për bomba në shkollën e mesme të mjekësisë.
Mbrëmë në Stacionin Policor Tetovë, disa mësues nga Shkolla e Mesme Mjekësore “Nikola Shtejn” në Tetovë raportuan se kishin marrë informacione nga prindërit e nxënësve se M.R. dërgonte mesazhe nxënësve dhe kërcënonte se do të vendoste bomba dhe do të kryente vrasje në shkollë.
“Menjëherë u ndërmorën masa dhe veprime të duhura nga punonjësit e policisë së Tetovës dhe, me urdhër gjyqësor, u kontrollua banesa dhe ambientet ndihmëse të R.R. (49) në fshatin Pallaticë, Tetovë. Gjatë kontrollit u gjetën disa objekte që i përkisnin djalit të tij, M.R. (18), për të cilat ekziston dyshimi se lidhen me një vepër penale”, thanë nga SPB Tetovë.
M.R. është ndaluar dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ndiqet kallëzim i përshtatshëm.
M.R. u ndalua edhe më 27.02.2026 për shkak se pati dërguar kërcënime të rreme me bomba në shkollat e Tetovës. Megjithatë, ai më pas u la në liri.

