Arrestohet dhëndri i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve në Malishevë, policia thotë se ai u gjet i plagosur
Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur ditën e enjte në fshatin Golluboc të Malishevës, ku të vrarë mbetën dy vëllezër. I dyshuari për këtë ngjarje është dhëndri i viktimave.
Autori i dyshuar për vrasje fillimisht kishte ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa sot policia ka arritur ta arrestojë atë.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, drejtori i Policisë rajonale në Gjakovë, Lumni Graishta.
“Po sot rreth orës 06:30 është arrestuar i dyshuari, ai ka qenë i plagosur, pas ndihmës së parë që i është dhënë, ai është dërguar për trajtim në QKUK”, tha Graishta.
Arrestimin e të dyshuarit e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës, është arrestuar personi i dyshuar A.I., i cili më parë kishte qenë në arrati. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftim.
Tutje, Prokuroria thotë se brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të dyshuarit A.I., do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente.
Ndryshe, personi i dyshuar, me inicialet A.I, dyshohet se ka vrarë dy vëllezërit në oborrin e shtëpisë së tyre.
Mësohet se i dyshuari, ka pasur edhe më parë probleme me ligjin, ndaj të cilit Prokuroria në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për veprat penale “Dhunë në familje”, dhe “Kanosje”.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se prokurori i shtetit ndaj personit te dyshuar A.I., më datë 06.04.2025, është paraqitur kërkesa për caktimin e masës se paraburgimit, e cila po të njëjtit iu është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu me datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore ne Prishtine, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.I., për veprat penale “Dhunë ne familje” sipas nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Kanosje” në bazë të nenit 181 të KPRK-së”, ka konfirmuar për Telegrafin, Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, policia më herët ka konfirmuar se vrasja e dyfishtë ka ndodhur rreth orës 11:00.

