“Arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra për drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shqipërisë

“Arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra për drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shqipërisë

Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHSH), Vlora Hyseni, është pezulluar nga detyra, ndërkohë ndaj saj është vendosur edhe masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Shqipërisë (SPAK) ka konfirmuar në një njoftim zyrtar se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar ka vendosur ndaj Hysenit më datë 21 shtator masat “arrest në shtëpi” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

Sipas SPAK-ut, Hyseni është e dyshuar për veprat penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Përkrahje e autorit të krimit”.

Vlora Hyseni është emëruar në krye të SHISH-it në prill të vitit 2023. Ajo ka mbajtur post drejtues edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Gjithashtu, prokuroria ka njoftuar se në kuadër të hetimeve të saj është vendosur masa “arrest në burg” për një përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore të Shqipërisë dhe ndaj një punonjësi të një shoqërie private.

Në njoftim gjithashtu thuhet se gjykata ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda.

Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera në lidhje me hetimet apo çështjet e përfshira për personat në fjalë, ndërkohë në media është raportuar se hetimet lidhen me implikimet për personat e tjerë të hetuar më parë për dosjen e njohur si “Çështja e Agjencia Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”.

MARKETING