Arifi për deponinë në Nikushtak: Nuk është mbyllur, urdhëresa e ministrit është e kundërligjshme

Arifi për deponinë në Nikushtak: Nuk është mbyllur, urdhëresa e ministrit është e kundërligjshme

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për komunën e Likovës, Erkan Arifi, gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Debat në SHENJA”, ka komentuar çështjen e deponisë në fshatin Nikushtak, duke theksuar se ajo ende nuk është zyrtarisht e mbyllur dhe se vendimi për mbylljen e saj është në kundërshtim me ligjin.

“Edhe sot, ajo deponi nuk është e mbyllur. Bëhet fjalë për një deponi jostandarde, siç janë edhe rreth 82 të tilla në të gjithë vendin, të menaxhuara në nivel komunal. Për momentin, ajo është ‘e mbyllur’ me një urdhëresë të ministrit të Ambientit Jetësor, e cila është në kundërshtim me dispozitat ligjore,” tha Arifi.

Ai bëri të ditur se komuna ka ankimuar zyrtarisht vendimin, duke argumentuar se mbyllja e një deponie nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme nga një ministër apo kryetar komune.

“Ligji për menaxhimin e mbeturinave e përcakton qartë procedurën. Nuk mund të ketë vendime individuale, pa ndjekur procedurat ligjore,” shtoi ai.

Çështja e deponisë në Nikushtak ka qenë një nga temat e debatuara në komunë, duke shkaktuar reagime të ndryshme mes banorëve dhe institucioneve përkatëse. /SHENJA/

MARKETING