Arbin Zejnullai i jep fitoren Shkëndijës ndaj Sileksit në Kratovë
Skuadra e Shkëndijës ka marrë një fitore ndaj Sileksit me rezultat 2:1 në ndeshjen e luajtur në Kratovë në kuadër të xhiros së 19-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Skuadra e trajnerit Jeton Beqiri avansoi e para në këtë duel, kur në minutën e 17-të Tamba realizoi për kuqezinjtë, teksa Sileksi barazoi në të 45-tën me Buturoviq. Heroi i këtij takimi doli të jetë Arbin Zejnullai, i cili një minutë para fundit, arriti të shënojë një gol të bukur për shifra 2:1 dhe fitore të Shkëndijës përballë Sileksit. Me këtë triumf tashmë Shkëndija ngjiten në pozitën e dytë me 45 pikë, gjashtë më pak se Vardari që është lider aktual. Kujtojmë që xhiroja e 19-të mbyllet të hënën, aty ku në program është ndeshja ndërmjet Makedonija Gjorçe Petrovit dhe Tikveshit.

