Arbër Zeneli merr një ofertë tunduese nga klubi i Arabisë Saudite
Arbër Zeneli mund të jetë një nga emrat shqiptarë që do të ndryshojë ambient gjatë afatit kalimtar dimëror. Sulmuesi i krahut është pranë largimit nga Elfsborgu, me një ofertë shumë joshëse që vjen nga kampionati elitar i Arabisë Saudite.
Sipas mediumit suedez Expressen, klubi i Al Taawoun ka paraqitur një ofertë serioze për 30-vjeçarin, e cila pritet të pranohet nga futbollisti.
Zeneli duket i gatshëm të mbyllë aventurën e tij në Suedi dhe të nisë një kapitull të ri në Lindjen e Mesme.
Ai u rikthye te Elfsborgu në mars të vitit 2024, pas një eksperience në futbollin turk me Adana Demirspor.
Më herët, ai kishte qenë pjesë e kampionatit francez, ku luajti për Reims. Megjithatë, vetëm dy vite pas kthimit në Suedi, sulmuesi i krahut pritet të largohet sërish.
Raportohet se bisedimet mes klubeve dhe përfaqësuesve të lojtarit janë aktualisht në zhvillim, ndërsa afati kalimtar dimëror në Arabinë Saudite mbyllet më 1 shkurt, çka e bën këtë lëvizje të mundshme në ditët në vijim.
Aktualisht, Al Taawoun renditet në vendin e pestë në kampionatin elitar saudit, vetëm pesë pikë larg Al Nassr, skuadrës së Cristiano Ronaldos, e cila mban pozitën e tretë në tabelë.
Ndërkohë, Elfsborgu ka pësuar edhe një tjetër largim gjatë këtij afati kalimtar. Besfort Zeneli, vëllai i vogël i Arbërit, është transferuar te Royale Union Saint-Gilloise në kampionatin belg për një shumë rreth 4 milionë euro.
Largimi i Arbër Zenelit do të shënonte një tjetër ndryshim të madh për Elfsborgun, ndërsa për futbollistin shqiptar do të ishte një hap i rëndësishëm drejt një sfide të re në karrierën e tij.

