Arben Fetai i drejtohet me letër të hapur Arben Taravarit: E ke braktisur misionin, sot je në shërbim të BDI-së dhe jo të qytetarit

Zv/kryeministri Arben Fetai me një letër publike i është drejtuar kryetarit të ASH-së, Arben Taravari.
Në letër, Fetai, thotë se ai për shumë vite i ka qëndruar afër Taravarit për një ideal të përbashkët. Por ky ideal sipas Fetait, tani ka ndryshuar dhe ai më nuk e njeh Taravarin. Sipas tij, BDI nuk ka ndryshuar dhe është e njëjta, ndërsa tani po Taravari është duke ushqyer atë që vet e ka quajtur “kancer i shoqërisë.”
Më poshtë edhe letra e plotë:
Letër e hapur për Arben Taravarin
I dashur adash, Arben,
Të kam thirrur vëlla për shumë vite. Të kam qëndruar afër në betejat më të vështira, si shef kabineti e në shumë role të tjera përkrah teje, jo për poste e as për paga, por për një ideal të përbashkët dhe për shpresën që ke përfaqësuar.
Sot, me dhimbje e me habi, shoh propagandën gebelsiane dhe akuzat e pështira që më ke bërë. Qesharake është të thuash se jam shitur për një rrogë prej 1.890 eurosh, një shumë që nuk i afrohet as së një të dhjetës së të ardhurave që kam lënë pas për t’u kthyer këtu. Ti e di fort mirë se financiarisht jam komod – zyrtarisht ministri më komod ndër të gjithë, sipas deklarimeve tona publike të pasurisë – dhe se çdo gjë e kam bërë me punë të ndershme, gjithmonë në sektorin privat, kurrë në atë publik. Unë, adash, jap llogari për çdo cent, ama bash çdo cent, para fisit, para aktivistit, para qytetarit dhe para institucioneve të shtetit. Në politikë, pak janë ata që mund të mburren me këtë.
Ti e di shumë mirë që nuk jam kthyer për para dhe se nuk më animon lakmia. Jam kthyer sepse ti vetë më the: “Hajde, vëlla, ta mbyllim kapitullin e BDI-së deri në zgjedhjet lokale.” Besa-besë. Dhe erdha, erdha sepse të kam besuar.
Adash,
Unë nuk kam ndryshuar. Jam po ai Arben që e ke thirrur vëlla deri dje, po ai Arben që vetë ke thënë se “as nuk blihet e as nuk shitet.” Jam po ai që e ke ftuar të marrë përgjegjësi dhe ta përmbysim bashkë BDI-në.
As BDI nuk ka ndryshuar, adash. Është po ai kancer, po ata njerëz, po ajo mendësi. Por sot, ti po e ushqen atë që vetë e ke quajtur “kancer i shoqërisë.”
Vetëm ti ke ndryshuar, Arben. Dhe unë nuk të njoh më. Nuk ka transformim më të dhimbshëm sesa kur e sheh mikun tënd duke rrëshqitur drejt asaj që vetë e ka luftuar, duke u tjetërsuar. Nga parimet ke kaluar te kalkulimet. Nga fjala e dhënë, te pazaret në sarajet e Zajazit.
Sot më akuzon për përçarje, por ti je ai që u largove nga rruga jonë. Ti je ai që bëre pazar për rikthimin e kancerit të shqiptarëve në këmbim të 6 komunave. Ti je ai që tentove ta çosh Aleancën në prehrin e kundërshtarit historik. Dhe ti, Arben, nuk mund të fshehësh më asgjë, sepse as vetja jote nuk të beson. E di që je në hall. E di që nuk po vepron më i lirë. E pranoj këtë, me dhimbje por edhe me mirëkuptim vëllazëror. Ndaj nuk do të padis kësaj here, ndonëse ke shpifur.
Thirri mendjes, adash, kthjellu. Kthjellu para se të pësosh edhe ti “transformim” si disa të tjerë para teje. Politika, Arben, nuk është as profesion, as interes personal apo klanor. Është mision. Është shërbim ndaj qytetarit. Dhe ti, këtë mision e ke braktisur. Sot je në shërbim të BDI-së, jo të qytetarit. E di që edhe ti vetë e ndjen se ka humbur vetë kuptimi i angazhimit tënd politik.
Por ka jetë edhe pas politikës, adashi im i dashur. Si njerëz që jemi, dhe duhet të ngelim, gjithmonë duhet të mendojmë për ditën kur mbesim vetë përballë ndërgjegjes sonë. Kur bëjmë bilancin e veprimtarisë sonë. Dhe po të pyes: po të shihje veten sy më sy, a do e kishe puthur, apo do e kishe pështyrë?
Mbase përgjigjen e dimë dytë. Për ty, ky moment vetëreflektimi dhe bilanci ka ardhur më shpejt sesa kishe menduar. Më shpejt sesa të kam kërkuar edhe unë, me ngulm, me dashamirësi, duke ta bërë të qartë, jo një herë por me dhjetëra herë, se çburrnimin nuk ta kemi borxh dhe se nuk do të ndjekim te Aliu, as unë, as struktura e shëndoshë e ASH-së. Aktivisti ynë ka vuajtur shumë nën kundrën e BDI-së për t’u poshtruar kësisoji. Aleanca është tepër e shenjtë për t’u bërë plaçkë lufte për kundërshtarin. Këtë nuk e lejojmë, as me hatër, as me zor.
Adash,
Na fal që i qëndruam fjalës së dhënë votuesit opozitar. Na fal që nuk e shitëm Aleancën. Sot ndoshta na urren, por nesër do të na kuptosh. Do të na falënderosh e do na urosh. Dhe kur ta bësh atë bilanc me ndërgjegjen tënde, shpresoj të mos jetë vonë. Ne nuk kemi kthim prapa. Jemi në anën e drejtë të historisë. Dhe të uroj sinqerisht që një ditë të jesh përsëri aty ku dikur ishim bashkë: me Aleancën e vërtetë.
Me keqardhje, por me shumë respekt për atë që ishe,
Adashi yt,
Arben Fetai