Aprovohen aktakuzat për rastin “Pulse” dhe IPARD
Këshilli për vlerësimin e aktakuzës në kuadër të Gjykatës Penale Themelore Shkup mori vendime me të cilat në tërësi i aprovoi dy aktakuzat e parashtruara nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas çka janë formuar edhe dy lëndë penale – juridike, në lidhje me zjarrin në Koçan dhe me programin IPARD.
Lënda e parë ka të bëjë me 13 nëpunës policorë, të cilët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, në lidhje me zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan.
“Me vendimin aprovohet në tërësi aktakuza kundër 13 nëpunësve policorë, të cilët akuzohen se kanë kryer vepër penale – vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, në lidhje me zjarrin, i cili më 16 mars të vitit 2025 shpërtheu në objektin ‘Puls’ në Koçan”, bëhet e ditur në kumtesën e gjykatës.
Lënda e dytë ka të bëjë me keqpërdorime financiare dhe mitmarrje në lidhje me programin evropian IPARD.
“Aktakuza ka të bëjë me pesë individëve për vepra të ndryshme penale, përkatësisht: dhënie ryshfeti, dhënie shpërblimi për ndikim të paligjshëm, marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm dhe marrje ryshfeti, e cila përfshin edhe një aktakuzë kundër katër individëve të tjerë dhe një personi juridik, në lidhje me përdorimin e fondeve përmes programit IPARD”, bëhet e ditur në kumtesën e Gjykatës Penale.
Lëndët, në përputhje me sistemin AKMIS, do të shpërndahen për veprim të mëtutjeshëm te gjykatësit kompetentë, ndërsa pasi të shteret debati kryesor për lëndët konkrete, terminet do të jenë në dispozicion përmes kalendarit për gjykim në ueb-faqen e gjykatës, thonë nga Gjykata Themelore Penale Shkup./MIA

