Prokuroria nuk konfirmon nëse raportet për cilësinë e ujit në Gostivar kanë qenë të sakta apo të rreme
Prokuroria po heton edhe nëse analizat e rregullta të ujit në Gostivar janë kryer sipas procedurave dhe pse ndotja e ujit të pijshëm nuk është konstatuar me kohë nga institucionet përgjegjëse.
Në një brifing me gazetarët, prokurorët deklaruan se për momentin nuk mund të konfirmojnë nëse në periudhën e kaluar janë dorëzuar raporte të sakta apo të pasakta për cilësinë e ujit, pasi hetimet janë ende në fazë aktive.
Sipas tyre, do të realizohen ekspertiza shtesë për të verifikuar mënyrën e marrjes dhe analizimit të mostrave të ujit. Gjithashtu, do të rishikohen të gjitha analizat e kryera gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar. Nëse evidentohen parregullsi ose përgjegjësi nga persona apo institucione të tjera, hetimi do të zgjerohet edhe ndaj tyre.
Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bëri të ditur se analizat e kryera nga Qendra për Shëndet Publik në Gostivar më 29 qershor dhe 13 korrik e kishin vlerësuar ujin si të sigurt për konsum.
Megjithatë, pikërisht më 13 korrik u regjistrua rritja e numrit të pacientëve me simptoma gastrointestinale, çka ka ngritur dyshime nëse ndotja e ujit ka mbetur e pakonstatuar në analizat e kryera dhe nëse procedurat e kontrollit janë zbatuar në mënyrë të rregullt.

