Anulohet vendimi i KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe

Anulohet vendimi i KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar ankesën e subjektit politik Lista Serbe në lidhje me moscertifikimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, 2025.

Në vendimin e lëshuar nga PZAP-ja thuhet se është anuluar njoftimi i KQZ-së nën arsyetimin se Lista Serbe ka dorëzuar dokumentacionin në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat shoqëruese të KQZ-së.

Gjithashtu thuhet se me votimin që është bërë në KQZ nuk është nxjerrë asnjë vendim.

Tutje thuhet se njoftimi është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, andaj KQZ-ja urdhërohet që ta zbatojë vendimin e PZAP-së.

“”Anulohet njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i datës 23.12.2024 dhe urdhërohet KQZ-ja që ta certifikojësubjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës per Regiistim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025”, u tha në vendimin e publikuar nga PZAP-ja.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në fillim të kësaj jave nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesmarrje në zgjedhje.

Shkak për këtë janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.

MARKETING