“Anima Mundi”: Në Kopshtin Zoologjik në Shkup u krye masakër mbi shpezët
Shoqata për mbrojtje të kafshëve, “Anima Mundi” ka reaguar në lidhje me mënyrën se si janë asgjësuar shpezët në Kopshtin Zoologjik të Shkupit, pas konstatimit të autoriteteve për praninë e gripit të shpezëve, respektivisht virusit H5N1.
Nga kjo shoqatë thonë se është bërë terror dhe masakër ndaj shpezëve, ndërsa nuk besojnë se ka prani të gripit të shpezëve, deri në publikimin e dokumentacionit përkatës nga autoritetet.
“Ndonëse në Maqedoni nuk është vërejtur asnjë rast i gripit të shpezëve dhe virusi i gripit të shpezëve është pothuajse pa asnjë rrezik për shëndetin e njeriut, vetëm në një ditë në Kopshtin Zoologjik të Shkupit është bërë masakër mbi shpezët. Më konkretisht, ajo që mund të shihet në këto video të tmerrshme, në mënyrë mizore – me pushkë, thyerje të qafës, hedhjen e tyre të gjallë në kosha plehrash – janë likuiduar 24 rosa, 6 pata, 5 pula dhe një korb, të cilat ishin të pranishme në atë lokacion. Pyesim kush e ka testuar dhe vërtetuar praninë e gripit të shpendëve dhe cilat janë gjasat që ata të kenë gabuar? Ne nuk besojmë në këtë derisa të dilet publikisht me prova serioze, madje edhe nëse është e vërtetë për këtë terror nuk ka asnjë justifikim. Nëse duhej të merreshin masa të caktuara për të parandaluar përhapjen e mundshme të gripit të shpezëve, kjo do të mund të zgjidhej duke vënë në karantinë mjedisin që është rrezik potencial i burimit të virusit”, thuhet në reagimin e “Anima Mundi”.