Amir Rrahmani rrezikon disa ndeshje me Napolin, gazetari italian jep detaje për dëmtimin

Amir Rrahmani rrezikon disa ndeshje me Napolin, gazetari italian jep detaje për dëmtimin

Kombëtarja e Kosovës ka mbetur pa kapitenin Amir Rrahmani, i cili u lëndua në përballje me Zvicrën dhe është larguar nga grumbullimi.

Napoli është përballur me një problem serioz pas pushimit të ndeshjeve ndërkombëtare, pasi Amir Rrahmani ka pësuar një dëmtim dhe aktualisht po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore.

Vetëm pas rezultateve të plota do të përcaktohet koha e rikuperimit të mbrojtësit të Kosovës, por tashmë ka sinjale se mungesa e tij mund të zgjasë disa javë.

Gazetari i Sky Sport, Massimo Ugolini, ka zbuluar se Rrahmani do të mungojë të paktën në ndeshjen e radhës kundër Fiorentinës në Firence të shtunën mbrëma.

Përveç kësaj, ai rrezikon të mos jetë i gatshëm as për dy duelet e tjera të rëndësishme, takimin  kundër Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve dhe përballjen në Serie A ndaj Pisës.

“Testet mjekësore për të përcaktuar kohëzgjatjen e dëmtimit nuk kanë mbërritur ende. Rrahmani patjetër do të humbasë ndeshjen në Firence dhe ka të ngjarë të jetë jashtë edhe për dy ndeshjet e ardhshme. Por ne presim rezultatet e ekzaminimeve që janë duke u zhvilluar”, tha Ugolini.

Mungesa e Rrahmanit përbën një shqetësim të madh për trajnerin Antonio Conte, pasi kapiteni i Kosovës është një shtyllë e mbrojtjes së Napolit.

Për ta zëvendësuar atë, në dispozicion janë Sam Beukema, i ardhur nga Bologna, si dhe Marianucci nga Empoli, të cilët pritet të marrin më shumë minuta në javët në vijim.

 

MARKETING