Amir Rrahmani një ‘mur i gjallë’ në fitoren e Napolit ndaj Fiorentinës
Napoli shënoi fitore me rezultat 3-0 në udhëtim ndaj Fiorentinës në kuadër të javës së 19-të në elitën e futbollit italian.
Ky rezultat bëri që ata të rikthehen si lider në Serie A me 44 pikë të grumbulluara, tri më shumë se Atalanta në pozitën e dytë që ka një ndeshje më pak dhe katër më shumë se Interi në pozitën e tretë që ka dy ndeshje më pak.
Një ndër lojtarët më të dalluar në këtë ndeshje për Napolin ishte padyshim edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani.
Rrahmani pati një paraqitje tejet solide në fazën e mbrojtjes, duke ndihmuar kështu që porta e Alex Meret të mbetet e paprekur.
Për paraqitjen e tij fantastike në këtë takim, Rrahmani u vlerësua me notën 7.4 nga Sofascore, që ishte më e larta pas Romelu Lukaku (7.5).
Reprezentuesi kosovar pati katër spastrime të topit nga zona, një goditje të bllokuar dhe dy ndërhyrje.
Ai gjithashtu kompletoi 45 pasime, pati një pasim kyç dhe doli fitues në gjashtë duele ajrore.
Rrahmani dhe ekipi i tij do të rikthehen sërish në aksion vikendin e ardhshëm, ku do të presin në shtëpi Hellas Veronën./Telegrafi/