Ambasadori izraelit në SHBA: Raundi i ardhshëm i bisedimeve mes Izraelit dhe Libanit do të mbahet në Romë
Ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, ka bërë të ditur se Izraeli dhe Libani javën e ardhshme do të zhvillojnë një raund të ri negociatash në kryeqytetin italian Romë, me synimin për të çuar përpara bisedimet mbi çështjet dypalëshe të pazgjidhura, transmeton Anadolu.
“Javën e ardhshme do të ulemi në Romë, më 14 dhe 15 korrik”, tha Leiter në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë në Washington.
“Tani po krijojmë ekipe për secilën çështje”, shtoi ai.
Leiter pranoi se mes dy palëve mbeten dallime të konsiderueshme, por shprehu optimizëm se negociatat mund të ndihmojnë në ngushtimin e këtyre dallimeve.
“Sigurisht që ka pika mospajtimi që duhet të zgjidhen dhe pikërisht për këtë na nevojitet kjo kohë dhe grupet e punës, që të ulen dhe të punojnë së bashku mbi këto çështje të diskutueshme për të arritur një marrëveshje të plotë”, tha ambasadori.
Më 26 qershor, Libani dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje kornizë me ndërmjetësimin e SHBA-së, e cila parashikon një tërheqje graduale të Izraelit nga territori libanez.
Megjithatë, marrëveshja nuk përcakton një afat kohor për tërheqjen e plotë dhe i kushtëzon tërheqjet e mëtejshme me marrjen përsipër të përgjegjësive të sigurisë nga ushtria libaneze dhe çarmatimin e grupeve të armatosura joqeveritare, përfshirë Hezbollahun.
Zyrtarët libanezë thanë se marrëveshja përfaqëson një “hap të parë” drejt rikthimit të sovranitetit shtetëror në të gjithë territorin e vendit dhe mundësimit të kthimit të të zhvendosurve në qytetet e tyre.
Megjithatë, Hezbollahu e cilësoi marrëveshjen si “të pavlefshme”, duke theksuar se lidhja e tërheqjes izraelite me çarmatimin e tij tejkalon “të gjitha vijat e kuqe”.
Që nga 2 marsi, sipas shifrave zyrtare, sulmet izraelite në Liban kanë vrarë më shumë se 4.300 persona dhe kanë plagosur mbi 12.000 të tjerë.
Forcat izraelite gjithashtu vazhdojnë të mbajnë nën pushtim zona në jug të Libanit, disa prej tyre të pushtuara prej dekadash dhe të tjera të marra gjatë luftës së viteve 2023-2024, ndërsa gjatë ofensivës së fundit kanë avancuar më shumë se 10 kilometra brenda territorit libanez.

