Ambasada turke në Shkup organizon pritje me rastin e 100-vjetorit të Republikës së Turqisë

Ambasada turke në Shkup organizon pritje me rastin e 100-vjetorit të Republikës së Turqisë

Ambasada turke në Shkup ka organizuar një pritje me rastin e 100-vjetorit të Republikës së Türkiyes, raporton Anadolu.

Në pritjen që ambasadori turk në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, organizoi në rezidencën e ambasadës, morën pjesë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, zv/kryeministri Artan Grubi, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azil Aliu, si dhe deputetë, politikanë, përfaqësues të sektorit joqeveritar, diplomatë, punonjës të ambasadës turke dhe një numër i madh i të ftuarve.

Pritja filloi me intonimin e himneve kombëtare të Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut, më pas para të pranishmëve u adresua ambasadori Sekizkök, i cili theksoi se Lufta e Parë Botërore për Türkiyen përfundoi me nënshkrimin e Traktatit të Paqes së Lozanës dhe se Republika u shpall në të njëjtin vit.

“Nëse merren parasysh kushtet në Türkiye të viteve 1920 dhe konjuktura botërore, shpallja e Republikës kërkon një vizion të madh dhe mbështetje te populli. Sepse përmbushja e konceptit të Republikës është një synim që mund të arrihet vetëm bashkë me popullin”, tha Sekizkök.

Sipas tij, në ato ditë filloi një rinovim i madh dhe një lëvizje përpara.

“Duke filluar nga viti 1923, Türkiye vazhdon të përparojë në çdo fushë në rrugën e hapur nga (Mustafa Kemal) Atatürk, duke arritur përfitime të reja. Atatürk ishte një udhëheqës që e shihte botën nga një këndvështrim të gjerë. Me fjalët ‘paqe në vend, paqe në botë’, i tërhoqi vëmendjen se paqja dhe siguria ndërkombëtare janë të pandashme dhe se nuk mund të qëndrohet indiferent ndaj problemeve të kombeve të tjera”, tha ambasadori turk.

Ai theksoi se Türkiye, e cila ndodhet në një rajon ku takohen Ballkani, Kaukazi, Lindja e Mesme dhe Mesdheu, prej një shekulli po përpiqet për paqen dhe stabilitetin në nivel global dhe se gjithashtu i ka dhënë mbështetje rajoneve më të largëta.

“Për qindra vjet kemi jetuar së bashku në Ballkan. Së bashku ndërtuam pasurinë kulturore të këtyre territoreve. Jemi të kënaqur që vërejmë se sa mirësi ka ndaj Türkiyes në Ballkan, ku ne kemi lidhje të forta. Gjithashtu me kënaqësi konstatojmë se turqit në Maqedoninë e Veriut, të cilët janë midis kombeve themelues të këtij vendi, kanë një vend të veçantë në marrëdhëniet tona”, tha Sekizkök.

Ndër të tjera, ambasadori turk foli edhe për marrëdhëniet midis Atatürk-ut dhe Maqedonisë së Veriut.

“Rrënjët e paraardhësve të Atatürk-ut shtrihen në Maqedoninë e Veriut. Ne po ashtu e dimë se Atatürk-u në vitet e tij të reja thithi ajrin e atmosferës multikulturore dhe plot ngjyra të Maqedonisë së Veriut. Vitet që kaloi në këtë trevë si student i dalluar në shkollën ushtarake dhe si kapiten patën një ndikim të madh në rrugën e tij për t’u bërë një udhëheqës i madh. Pas shpalljes së Republikës, Atatürk-u u bë frymëzim për kombet e tjera. Në këtë drejtim, ai la gjurmë në histori. E kujtojmë me respekt dhe mirënjohje Atatürk-un që na dha Republikën. Le të festojmë 100-vjetorin e Republikës”, u shpreh ambasadori turk.

MARKETING