Alonso kthehet te Reali si njëri prej trajnerëve më të mirë në botë

Ai është kthyer. Xabi Alonso do ta marrë drejtimin e Real Madridit, klubit që dështoi t’i përmbushte synimet këtë edicion.
Skuadra e madhe spanjolle konfirmoi të dielën se Alonso do ta zëvendësojë Carlo Ancelottin, i cili do ta marrë drejtimin e Brazilit. Alonso do ta udhëheqë skuadrën prej 1 qershorit dhe do të jetë pjesë e klubit mbretëror deri në qershor të vitit 2028, ka njoftuar Real Madridi.
MARKETING
Ai do të prezantohet të hënën.
65-vjeçari Ancelotti u largua nga klubi mbretëror pas katër vjetësh me plot suksese. Ai u pa me lot në sy të shtunën në ndeshjen e fundit të ligës. Kontrata e tij skadonte në fund të edicionit të ardhshëm, por madrilenët e konfirmuan largimin e italianit të premten, pasi u zyrtarizua si përzgjedhës i ardhshëm i Brazilit.
Madridi e nisi sezonin duke e fituar Superkupën e Evropës por prej asaj kohe hasi në vështirësi, duke mos e fituar asnjë trofe. Dështoi të fitonte në ndonjërën prej katër “El Clasicove” ndaj Barcelonës, që e fitoi titullin dhe Kupën e Mbretit.
Ancelotti ka thënë të premten se Alonso e ka potencialin për të qenë i suksesshëm te Madridi.
“Ai është shumë me fat që do ta udhëheqë Real Madridin. I uroj më të mirën, gjithë fatin e botës. Mendoj se i ka të gjitha cilësitë për ta drejtuar këtë klub. Shpresoj se do të kënaqet”.
Kanali zyrtar i Realit e ka përgatitur një video me momentet më të mira të karrierës së Alonsos, si lojtar e si trajner. Ka shkruar se “tani ai është përballë sfidës më të madhe që mund ta ketë çdo trajner, të jetë trajner i Real Madridit”.
43-vjeçari Alonso ka thënë se po kthehet në një ambient që e njeh mirë.
“Alonso është njëri prej legjendave më të mëdha të Real Madridit dhe botës së futbollit. Ai ka luajtur në 236 ndeshje prej vitit 2009 deri në vitin 2014. I ka fituar gjashtë trofe këtu. E fitoi kupën e 10-të evropiane në Lisbonë, një Superkupë të Evropës, një titull, dy Kupa të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës”, ka shkruar klubi madrilen.
“Tani ai do të kthehet te Real Madridi si njëri prej trajnerëve më të mirë në botë pasi shkroi historinë me Bayer Leverkusenin”.
Si trajner, Alonso e udhëhoqi Leverkusenin drejt titullit dhe Kupës së Gjermanisë në vitin e kaluar, në edicionin e tij të parë. E kishte marrë klubin kur ishte në zonën që dërgon në kategorinë e dytë të futbollit gjerman.
Ekipi i tij mbetet i vetmi që e kompletoi edicionin në Bundesligë pa pësuar disfatë. Humbja e vetme e Leverkusenit në edicionin 2023/24 ishte nga Atalanta në finale të Ligës së Evropës. Por, Leverkuseni ishte kthyer tri ditë më pas duke e fituar Kupën e Gjermanisë.
Seria e 35 ndeshjeve pa humbje e Leverkusenit në Bundesligë u ndal në gusht të vitit 2024, kur u mposht 3:2 në shtëpi nga Leipzigu, edhe pse ishte në epërsi prej dy golave.
“Ti jo vetëm që na ke stërvitur – na ke inspiruar”, ka shkruar në Instagram mesfushori lider i Leverkusenit, Granit Xhaka, pasi u konfirmua largimi i Alonsos. “Do t’i marrim me vete mësimet e tua edhe jashtë fushës”.
Si lojtar i Spanjës dhe Madridit, Alonso ka shfaqur aftësi të mëdha dhe ka krijuar kohë e hapësirë për veten, si dhe mundësi për të tjerët.
Real Sociedadi dhe Liverpooli më herët kanë përfituar nga inteligjenca e tij në mesfushë. Liverpoolin e ndihmoi ta fitonte Ligën e Kampionëve në vitin 2005.
Alonso si lojtar i Madridit i ka fituar gjashtë trofe, përfshirë titullin e ligës spanjolle në vitin 2012 dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2014, para se të largohej te Bayern Munichu ku i fitoi tre tituj.
Alonso karrierën si trajner e nisi te të rinjtë e Real Madridit, para se të kthehej tek ekipi i dytë i Real Sociedadit, ish-klubi tjetër i tij, me të cilën e siguroi promovimin në një ligë më lart.
Tani do të ketë kërkesa të tjera te Madridi, ku do të përballet edhe me Barcelonën e shkëlqyer, të udhëhequr nga Lamine Yamal e Raphinha, që përkrahen nga Pedri e Gavi.
Detyra e Alonsos është ta kthejë në rrugë të mbarë Kylian Mbappen, Jude Bellinghamin e Vinicius Juniorin.
Ancelotti që i fitoi tri Liga të Kampionëve, vlerësohet si trajner që i lë futbollistët e lirë. Alonso dëshiron strukturë të qartë, me idenë e qartë se çfarë dëshiron nga secili lojtar, që të përshtatet sa më mirë në ekip. Madridi deri tani e ka transferuar Dean Huijsenin e Bournemouthit, që vlerësohet përforcim i madh në mbrojtje. Nga klubi është larguar edhe legjenda Luka Modriq, bashkë me Lucas Vazquezin.
Kushdo që vjen apo shkon, Alonso do të ketë kërkesa të njëjta – ta kthejë Madridin në krye të La Ligas dhe ta fitojë trofeun e 16-të evropian.