Alonso ankohet se nuk iu dha edhe një penallti Realit: Më thanë që kishte kontakt

Alonso ankohet se nuk iu dha edhe një penallti Realit: Më thanë që kishte kontakt

Fundin e ndeshjes mes Real Madridit dhe Gironës e shoqëroi një moment polemik, në një ndeshje ku Real Madridi nuk mori më shumë se një barazim 1-1.

Rodrygo u rrëzua në zonë pas një kontakti, por gjyqtari dhe sistemi VAR zgjodhën të mos akordonin penallti, vendim që shkaktoi reagime të forta nga madrilenët.

Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, u shpreh i pakënaqur me mosndërhyrjen e teknologjisë.

Ai tha se nuk e kishte parë vetë momentin, por sipas informacioneve që iu dhanë, situata meritonte shqyrtim të mëtejshëm.

“Nuk e pashë vetë, por më është thënë se ishte një lojë që mund të rishikohej nga VAR për shkak të kontaktit”, deklaroi Alonso.

“Është e habitshme, do të duhet ta shohim. Këto janë lojëra vendimtare që mund ta ndryshojnë lojën.”

Në kampin tjetër, trajneri i Gironës, Michel, e mbrojti vendimin e gjyqtarit duke e cilësuar kontaktin minimal dhe jo të mjaftueshëm për penallti.

“Është një kontakt i lehtë. Dhe ka kontakte në futboll që nuk duhet të jenë penallti, si në këtë rast”. tha Michel.

Duhet kujtuar se më herët në ndeshje Real Madridit iu dha një penallti pas faullit ndaj Vinicius Junior, të cilën e shfrytëzoi Mbappe për të barazuar rezultatin.

Incidenti i fundit, megjithatë, ka hapur debat mes dy palëve për interpretimin e situatës dhe rolin e VAR në këto vendime. /Telegrafi/

MARKETING