Aliu: Mbështetje nga Banka Botërore për reformat në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot realizoi takim pune me një delegacion të lartë të Bankës Botërore, të udhëhequr nga Reka Menon, menaxhere për shëndetësi, ushqim dhe popullsi për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, si dhe me dr. Sven Nelsen, bashkëudhëheqës i sektorit të shëndetësisë të Bankës Botërore për vendin tonë, Ali Hamandi, ekonomist i lartë dhe Mrika Aliu, specialiste e lartë për zhvillim njerëzor.
Ministri Aliu, siç njofton Ministria e Shëndetësisë, prezantoi prioritetet strategjike të Ministrisë së Shëndetësisë dhe theksoi se ekspertiza dhe mbështetja ndërkombëtare përbëjnë një segment kyç në procesin e modernizimit, veçanërisht në fushën e digjitalizimit , si një nga prioritetet kryesore të Ministrisë, si dhe në tele-mjekësi, kujdesin shëndetësor primar, dhe përmirësimet infrastrukturore dhe teknologjike të sistemit.
Gjatë takimit u prezantua edhe puna analitike aktuale e Bankës Botërore në sektorin e shëndetësisë, me theks në sistemin e kujdesit afatgjatë dhe modelet e financimit shëndetësor.
Nga Ministria thonë se përfaqësuesit e Bankës Botërore shprehën gatishmëri për mbështetje të mëtejshme të reformave në shëndetësi, ndërkohë që u shqyrtuan edhe fushat e mundshme për forcimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor.