Aleanca ushtarake trepalëshe: A i është kërkuar Malit të Zi të jetë pjesë e marrëveshjes?

Aleanca ushtarake trepalëshe: A i është kërkuar Malit të Zi të jetë pjesë e marrëveshjes?

Malit të Zi nuk i është kërkuar të nënshkruajë Deklaratën e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e këtij shteti në një përgjigje për KALLXO.com. Kjo ministri, megjithatë ka theksuar se Mali i Zi mbetet i përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe promovimit të dialogut.

“Ne mbetemi pa mëdyshje të përkushtuar ndaj bashkëpunimit të fortë rajonal dhe promovimit të dialogut, si mënyra më efektive për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që rëndojnë perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi.

Mali i Zi, sipas kësaj ministrie, do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me të gjitha vendet e rajonit, duke promovuar vizionin europian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, si garantuesi më i mirë i stabilitetit afatgjatë.

“Gjithashtu, si anëtare e Aleancës Veriatlantike, theksojmë rolin e forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), si një faktor i rëndësishëm që kontribuon në ruajtjen e një mjedisi stabil dhe të sigurt dhe në mandatin e të cilit kontribuon edhe Mali i Zi, gjë që do të jetë edhe në të ardhmen”- thotë Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi.

“Nëse Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të kenë dëshirën për t’iu bashkëngjitur parimeve të kësaj Marrëveshjeje, pa dyshim jemi krejt të hapur”, kishte deklaruar Vengu.

Aleanca ushtarake që është firmosur midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë më 18.03.2025, nga tre ministrat e Mbrojtjes, Pirro Vengu, Ivan Anushiq dhe Ejup Maqedonci ka nervozuar Serbinë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë se Shqipëria dhe Kroacia e kanë hapur “një garë armësh”, duke nënshkruar Memorandum për bashkëpunim në Mbrojtje me Kosovën. Por, në Kosovë këto reagime u cilësuan si “agresive dhe kërcënuese” dhe shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.

Ndryshe prej Vuçiqit, një zyrtar i Aleancës Euro-Atlantike ka thënë se NATO nuk është palë në Deklaratën e nënshkruar mes këtyre tri vendeve dhe si rrjedhojë nuk ka as rol në procesin e konsultimit.

Shqipëria dhe Kroacia, sipas tij, janë kontribues të stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor-  duke përfshirë përpjekjet e tyre në kuadër të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO.

“Nisma e përmendur është një Marrëveshje trepalëshe. Ne e kemi marrë parasysh atë, por NATO si organizatë nuk është palë në të dhe si e tillë nuk ka pasur një rol në procesin e konsultimit.” – shkruan në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se Serbia, si shtet agresor, tenton ta paraqesë veten si viktimë duke shfrytëzuar situata që nuk kanë të bëjnë me të.

“Ne kurrë nuk e kemi sulmuar askënd, kurrë nuk kemi tentuar ta pushtojmë asnjë centimetër të një territori të dikujt tjetër. Por në historinë e kombit tonë, shqiptarët dhe Kosova gjithmonë e ka mbrojtur vetveten dhe do vazhdojmë ta mbrojmë sovranitetin tonë, integritetin territorial, shtetësinë. Marrëveshja trelaterale synon këtë që t’i ndihmojmë njëra-tjetrës për t’i rritur kapacitetet e mbrojtjes, pra për ta mbrojtur veten e jo ta sulmojmë dikë”, ka deklaruar ajo për media.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë tha se do të kërkojë urgjentisht shpjegime të detajuara nga Ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë. Sipas Beogradit, këto dy shtete, me nënshkrimin e këtij Dokumenti “ndërmorën hapa që minojnë stabilitetin rajonal”.

Serbisë i ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJD), e cila e ka dënuar ashpër deklaratën e saj – duke e quajtur “agresive dhe kërcënuese” dhe shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, në anën tjetër ka thënë se nuk ka nevojë të pyesin Serbinë apo NATO-n për Marrëveshjen e fundit ushtarake.

Ai theksoi se Marrëveshja nuk është armiqësore.

“Shpresoj se dikush do të marrë pesë minuta për të lexuar tekstin e Marrëveshjes midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Plenkoviq, duke shtuar se këto janë Marrëveshje të përbashkëta.

Ministria e Jashtme e Kosovës i cilësoi absurde përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur veten si “garantuese e paqes në Ballkan”, pasi që asnjë shtet nuk ndikon më shumë në destabilizimin e Ballkanit sesa Serbia.

“Serbia të fokusohet në respektimin e Marrëveshjeve që ka pretenduar se i pranon, të heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste dhe të ndërmarrë hapa të vërtetë për t’u bërë një aktor përgjegjës në rajon -duke filluar me njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.” – nënvizon Ministria.

Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj Deklarate, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm “për sigurinë dhe paqen në rajon, përmes mbrojtjes, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të vendeve tona paqedashëse, me deklaratën trepalëshe për aleancë ushtarake të nënshkruar”.

Deklarata e nënshkruar në Tiranë nga Ministrat e Mbrojtjes së tri vendeve ka katër pika kyçe: promovimi i bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve në fushën e Mbrojtjes dhe industrisë së Mbrojtjes, rritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, kundërveprimi ndaj kërcënimeve hibride dhe qëndrueshmëria ushtarake dhe ofrimi i mbështetjes për integrimin euro-atlantik dhe mbrojtjes rajonale.

 

MARKETING