Aleanca mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, Vuçiq: E kuptuam mesazhin, jemi shumë të shqetësuar

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbia e ka kuptuar mesazhin e dërguar me nënshkrimin e Memorandumit ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe tha se Serbia ka doktrinën e saj që do t’i mundësojë të ruajë stabilitetin dhe të mbrohet nga çdo agresori potencial.
Vuçiq është shprehur shumë i shqetësuar në lidhje me aleancën mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes të arritur.
Ai ka theksuar se Kroacia është një vend shumë i fuqishëm në aspektin ushtarak, por edhe se për herë të parë Serbia ka një ushtri më të fortë.
“Ne i kuptojmë ata, jemi shumë të shqetësuar për atë që po bëjnë. Ne kemi doktrinën tonë me të cilën jam i sigurt se do të arrijmë të ruajmë stabilitetin dhe të mbrohemi kundër çdo agresori të mundshëm”, ka thënë Vuçiq për Pink TV.
Ai po ashtu ka përsëritur se ajo që po ndodh në Bosnje dhe Hercegovinë është një problem i madh.
“Problem i madh është urdhri i arrestit për tre nga zyrtarët më të lartë të RS. Ata nuk mund të lëvizin lirshëm. Unë do të bëj çmos për të gjetur një mënyrë për të ulur tensionet në bisedimet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe evropianët. Ky është kaos”, ka deklaruar presidenti i Serbisë.