Aleanca e Taravarit: Mbyllja e kazinove ilegale online që mund të rihapen nga çdo cep i botës – teatër politik! Problemi i vërtetë janë kazinotë fizike

Me shumë zhurmë mediatike, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti doli para opinionit publik për të shpallur si fitore mbylljen e disa faqeve online të lojërave të fatit, duke tentuar të krijojë përshtypjen se qeveria më në fund po ndërmerr hapa seriozë në luftën kundër varësisë nga bixhozi. Por qytetarët shqiptarë nuk mashtrohen më nga këto skenarë të përsëritur të propagandës qeveritare, sepse ata e njohin mirë realitetin e hidhur që përjetojnë çdo ditë.
MARKETING
Dëmi i vërtetë nuk vjen nga disa platforma online, të cilat mund të rihapen brenda pak minutash nga çdo cep i botës. Dëmi i vërtetë ndodhet përballë nesh, në zemër të qyteteve dhe lagjeve shqiptare, pranë shkollave ku mësojnë fëmijët tanë dhe rrugicave ku rriten të rinjtë tanë – ata pak që ende kanë shpresë të ndërtojnë të ardhmen në këtë vend.
Në një kohë kur Shqipëria dhe Kosova patën guximin të marrin vendime të qarta për të ndaluar ose kufizuar industrinë e kazinove dhe bastoreve, në Maqedoninë e Veriut pushteti vazhdon t’i shërbejë me përkushtim mafies së bixhozit. Derisa qytetarëve u ofrohet si sukses mbyllja e disa faqeve online, perandoritë e kazinove legale forcohen çdo ditë, mbrohen dhe pasurohen në kurriz të vuajtjes së tyre.
Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë përballë këtij teatri të turpshëm politik. Kjo që ndodh nuk është luftë kundër bixhozit, por një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar lidhjet shumëvjeçare të politikës me një nga industritë më të errëta dhe më shkatërrimtare për shoqërinë. Shkatërrimi i familjeve shqiptare nuk ndalet me propagandë televizive, por me vendime të guximshme që i japin fund kësaj katastrofe sociale që përditë përhapet para syve tanë.
Lufta e vërtetë kundër bixhozit nuk fillon me konferenca për shtyp, por aty ku ky pushtet nuk guxon të prekë: në mbylljen e kazinove fizike, në shuarjen e varësisë që përditë shkatërron breza të tërë, në kthimin e dinjitetit dhe shpresës për qytetarët shqiptarë.
Kjo është beteja që Aleanca për Shqiptarët e ka marrë si zotim dhe përgjegjësi. Sepse për ASH-në, kjo nuk është çështje deklaratash e propagande – kjo është çështje jete.