Aleanca e ‘Selës’: Refuzimi i vizës amerikane për Fatmir Limanin, goditje e rëndë për imazhin e shtetit!

Dje u zbulua një lajm tronditës: Ministrit për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinjë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Limanit, i është refuzuar viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e detyruar të anulojë vizitën zyrtare në OKB, New York.
Kjo është një goditje e rëndë për imazhin e shtetit, një turp për institucionet dhe një tregues alarmant i diskreditimit ndërkombëtar të kësaj qeverie. Në vend që të jepte sqarime të qarta dhe të merrte përgjegjësi, ministri Limani vonoi reagimin dhe në mbrëmje pranoi në rrjetet sociale se ka “lëvizje të kufizuara” për shkak të të kaluarës së tij politike, duke fajësuar kinse angazhimin e tij të dikurshëm.
Ky është një manipulim i pastër! Fakti i vetëm i rëndësishëm është se një ministër i qeverisë i është ndaluar hyrja në SHBA – një vend aleat strategjik dhe partner kyç i Maqedonisë së Veriut. Kjo nuk mund të kalojë pa pasoja!
Kërkojmë menjëherë dorëheqjen ose shkarkimin e Fatmir Limanit! Ky nuk është vetëm një dështim personal i tij, por një njollë e zezë për gjithë qeverinë. Heshtja e kryeministrit dhe partnerëve të tij tregon ose paaftësi për të menaxhuar këtë krizë, ose frikë për të thënë të vërtetën.
Qytetarët meritojnë një qeveri që nuk turpëron vendin ndërkombëtarisht. Partnerët tanë ndërkombëtarë duhet të dinë se ky skandal nuk përfaqëson shqiptarët dhe as vlerat euroatlantike që ne mbrojmë.
Aleanca për Shqiptarët do të insistojë që ky turp të mos mbulohet! Përgjegjësia duhet të jetë e qartë dhe e menjëhershme!
– Aleanca për Shqiptarët