Alarme për bomba në 14 shkolla në Shkup, policia kryen kontrolle
Denoncime për bomba janë marrë mëngjesin e sotëm në adresat elektronike të 14 shkollave në Shkup, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
“Sot deri në orën 09:30 është raportuar se në adresat elektronike të 14 shkollave në Shkup është dërguar kërcënim me eksploziv. Menjëherë pas pranimit të raporteve janë ndërmarrë masa nga ana e zyrtarëve policorë për evakuimin e sigurt të njerëzve dhe janë duke u bërë kontrolle antiterroriste dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rasteve”, thonë nga MPB.
Gjatë ditës së djeshme ka pasur rreth 86 mesazhe kërcënuese për institucionet dhe shkollat në Shkup, si dhe në një shkollë në Prilep. Pas kontrolleve të hollësishme të Ministrisë së Brendshme rezultoi se të gjitha raportimet e djeshme ishin të rreme.