Al Khelaifi mohon thashethemet për shitjen e PSG-së: “Janë plotësisht false”
Nasser Al Khelaifi, presidenti i Paris Saint-Germain, ka mohuar zërat për një shitje të mundshme të klubit parizien.
Në një intervistë të fundit për portalin GiveMeSport, numri një i klubit francez deklaroi se lajmi është “plotësisht i rremë. Është e njëjta gazetë që shkruan mbeturina çdo javë (referuar L’Equipe, red.).
Aksionerët shpenzuan 350 milionë euro në qendrën sportive dhe do të ketë zgjerime të mëtejshme në kampus. Tani ata po kërkojnë të investojnë qindra miliona në një stadium të ri”,- thotë Al Khelaifi.
Por skenari i përshkruar nga gazeta franceze duket se është krejtësisht ndryshe. Merchandising, sponsorët dhe ndërveprimet në rrjetet sociale janë në rënie të madhe pas largimit të lojtarëve më të rëndësishëm (si Mbappé, Neymar, Ramos, Verratti, Messi), të cilët ndër vite kanë kontribuar në tërheqjen e shumë spektatorëve dhe tifozëve të rinj.
Versioni 2.0 i PSG-së, i cili sezonin e fundit u fokusua më shumë te të rinjtë sesa te superyjet tashmë të afirmuar, duket se tërheq më pak publikun dhe për rrjedhojë nuk justifikon investimin e bërë nga pronarët.
Mesa duket do të kishte mundësi edhe për një transferim në rast të ofertave që do të gjykoheshin të përshtatshme, por në orët e fundit Al Khelaifi ka dashur t’i mohojë të gjitha.