Aktpadia ndaj zotit Trump i jep fund perceptimit si “i pathyeshëm”

Aktpadia ndaj zotit Trump i jep fund perceptimit si “i pathyeshëm”

Dalja e zotit Donald Trump para gjykatësit javën e ardhshme nuk do të shënojë vetëm herën e parë që një ish president i Shteteve të Bashkuara përballet me një padi penale.

Por do të shënojë gjithashtu edhe një akt llogaridhënie, nga një njeri që deri më tani ka arritur të kapërcejë sfida të forta ligjore pavarësisht një sërë hetimesh, përgjatë thuajse katër dekadave.
Zoti Trump, i cili ka shpallur kandidturën për president në zgjedhjet e vitit 2024, pritet paraqitet para gjykatësit pasditen e së martës.

Një juri hapi dritën jeshile për ngritjen e një padie panale ndaj ish-presidentit. Akuzat nuk janë bërë ende publike. Hetimet janë përqëndruar në pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, për të blerë heshtjen e ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, për një marrëdhënie seksuale që ajo pretendon se ka patur me zotin Trump. Ai do t’i nenshtrohet procedurave standarde si marrja e shenjave të gishtrinjve, përpara se të deklarohet nëse është fajtor ose jo.

“Pas gjithë kësaj kohe është paksa tronditëse”, thotë Michael D’Antonio, biografi i zotit Trump. “Gjithmonë e kam menduar atë si dikë që thoshte se nuk e kapnin dot, ndërsa ai vraponte. Duke patur parasysh të shkuarën e tij e kam patur të vështirë të imagjinoja se ai do të mbahej pëgjegjës”.

“Këto që po ndodhin, Donald Trump nuk i ka menduar kurrë në jetën e tij, në fakt as unë, se ka menduar kurrë se ai do përballej me një gjë të tillë”, tha për rrjetin CNN, Michael Cohen, avokat i zotit Trump për një kohë të gjatë dhe dëshmitar kyç për çështjen, pasi ai kreu burg për pagesat ndaj ish-aktores së filmave pronografikë.

Sigurisht, disa kritikë të zotit Trump mund të festojnë para kohe. Ish presidenti mund t’i kërkojë gjykatësit pushimin e çështjes. Por edhe nëse çështja vazhdon, nuk ka garanci se do dënohet. Hetimet në Atlanta dhe Uashington po shihen si sfida të mundshshme, me pasoja ligjore më serioze.

Megjithatë, publikimi i lajmit, të enjten mbrëma për ngritjen e padisë penale, e gjeti të papërgatitur zotin Trump dhe ekipin e tij, pas njoftimemve se juria e madhe që po trajtonte rastin mund të merrte një periudhë të gjatë pushimi.

Zvarritja e diskutimeve të jurisë nxiti disa prej njerëzve të afërt të zotit Trump që të krijonin bindjen se shqyrtimi i rastit kishte ngecur dhe nuk do të ngrihej padia. Mes tyre ishte edhe avokati i tij, Joe Tacopina, i cili tha të premten në mëngjes, se “shpresonte në fitoren e drejtësisë”.

Ai tha për programin “Today” të rrjetit televiziv NBC, se fillimisht zoti Trump ishte tronditur nga lajmi, por e mori veten.

“Pasi e kapërceu atë moment, ai filloi të mendonte se duhet t’ia dilte të shënonte fitore edhe në këtë sfidë dhe vendosi menjëherë se duhet të luftonte menjëherë. Ai mori qendrimin e një njeriu që lufton ndaj asaj që e mendon si të padrejtë. Mendoj se ai është gati të përballet me këtë”.

Ndërkohë, zoti Trump dhe ekipi i tij janë përpjekur të përdorin lajmin në avantazhin e tij, duke shpresuar të aktivizojnë bazën besnike të ish-presidentit, duke e portretizuar hetimin si pjesë të një komploti më të madh për ta dëmtuar kandidaturën e tij.

Ngritja e padisë ka ndihmuar përpjekjet e tij për mbledhje fondesh për fushatën. Përfaqësues të fushatës së zotit Trump njoftuan të premten në mbrëmje se ishin mbledhur mbi 4 milionë dollarë në 24 orët pasi aktakuza u bë publike, duke thyer rekordin e mëparshëm pas kontrollit të FBI-së në rezidencën e zotit Trump në Mar-a-Lago të Floridës.

Më shumë se 25% e donacioneve, sipas përfaqësuesve të fushatës, erdhën nga donatorë të rinj. Kontributi mesatar: 34 dollarë.

Po ashtu, zyra e fushatës së zotit Trump shpërndau deklarata nga dhjetra zyrtarë të lartë republikanë që u shprehën në mbështetje të ish-presidentit, përfshirë edhe sfidantët e mundshëm të tij, duke theksuar mbështetjen që ai gëzon brenda sferës republikane.

Ish-presidenti ka qenë në komunikim telefonik me aleatët e tij në Kongres, përfshirë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe drejtues të komisioneve, thanë burime të afërta me bisedimet, të cilët folën në kushte anonime.

Ekipi i zotit Trump ka shqyrtuar ide për t’i dhënë sa më shumë vëmendje situatës, përfshirë mundësinë e mbajtjes së një konference për shtyp, para ose pas dorëzimit të tij pranë autoriteteve.

Zoti Trump pritet të udhëtojë nga Florida në Nju Jork të hënën dhe të qëndrojë gjatë natës në kullën “Trump” në qendër të Manhatanit, përpara se të paraqitet në gjykatë të martën. Pas dorëzimit, ai do të kthehet në Florida.

Zoti Trump ka mohuar të ketë patur marrëdhënie seksuale me ish-aktoren e filmave pornografikë ndërsa ka kritikuar prokurorin e Manhatanit Alvin Bragg për ngritjen e akuzave ndaj tij.

Zoti Trump përballet edhe me 3 hetime të tjera. Prokurorët në Xhorxhia po shqyrtojnë ngritjen e akuzave penale lidhur me përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në këtë shtet, ku ai humbi me një diferencë të ngushtë ndaj demokratit Joe Biden. Departamenti i Drejtësisë, nga ana tjetër, ka ngarkuar prokurorin e posaçëm Jack Smith, që po heton lidhur me përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 2020, si dhe gjetjen në shtëpinë në Florida të dokumenteve të klasifikuara, pasi kishte lënë detyrën.

Por Sam Nunberg, dikur një bashkëpunëtor i zotit Trump me të cilin ndërpreu raportet disa vjet më pare, thotë se pavarësisht se ai nuk e mbështet zotin Trump, ai beson se hetimi i prokurorisë së Manhatanit, është një humbje kohe, duke marrë parasysh, akuzat, të cilat ende nuk janë bërë publike.

“Padia penale nuk është e papritur për mua”, tha ai. “Çfarë do të më surprizonte në të vërtetë do të ishte ta shihja atë pas hekurave dhe nuk e shoh që kjo të ndodhë”.

 

MARKETING

UniConverter_20230519143422.gif