Aksident në rrugën Shkup-Bllacë, 1 i vdekur dhe 6 të lënduar
Një person ka humbur jetën dhe të paktën gjashtë janë lënduar rëndë në një aksident trafiku që ka ndodhur dje rreth orës 15 në rrugën kryesore Shkup – vendkalimi kufitar Bllacë e poshtme. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme , në aksident është përfshirë një minibus “Mercedes” me targa të Kosovës, i drejtuar nga R.H. (63 vjeç) nga Kosova dhe automjeti i pasagjerëve “golf” me targa të Shkupit, i drejtuar nga F.I. (19) nga Shkupi. “Dy vozitësit si dhe katër pasagjerët e lënduar nga Kosova, janë dërguar menjëherë në kompleksin e klinikave “Nënë Tereza” për ndihmë, ndërsa dy të lënduarit më rëndë janë dërguar në Klinikën “Naum Ohridski”. Një prej tyre, K.A. (67) ka vdekur nga plagët e marra. Është kryer kontroll nga sektori i punëve të brendshme Shkup dhe është njoftuar prokurori publik, ndërsa shoferi F.I. është arrestuar”, njoftuan nga MPB. /SHENJA/