Ai që pa ëmbëlsinë të bëhet helm: Një bisedë me Lutin a.s.

Ai që pa ëmbëlsinë të bëhet helm: Një bisedë me Lutin a.s.

Shkruan: Prof. Dr. Metin Izeti

Thonë se ai ende qëndron atje, në atë vend ku dielli nuk ngroh më dhe uji nuk shuan etjen, në brigjet e Detit të Vdekur. Jo si një hije ndëshkimi, por si një kujtim i gjallë se çfarë ndodh kur drita e mendjes errësohet nga zjarri i epshit. E megjithatë, kur takohesh me të, sytë e tij nuk janë të djegur. Janë si dy pika vese në mes të një shkretëtire prej guri, që pasqyrojnë ende butësinë e dikujt që deshi t’i shpëtonte ata që nuk donin të shpëtoheshin. Rreth nesh, era fryn mbi gurët e kripur që dikur ishin qytete, dhe çdo fërshëllimë duket si një britmë e ngrirë në kohë. Ulem pranë tij nën hijen e një shkëmbi që mban ende shenjat e zjarrit qiellor.

Unë: O Lut, o bir i vëllait të Ibrahimit, o mik i engjëjve, të thërrasin ty. Thuhet se ti ishe i vetmi i dërguar që fole për atë që njerëzit nuk guxonin ta përmendnin gjë. Si është të jesh zë i së vërtetës në mes të një populli që e kishte kthyer gënjeshtrën në zakon?

Luti a.s.:(Fytyra e tij është e lodhur, por jo nga vitet. E lodhur nga fjalët që nuk u dëgjuan kurrë) Fjala ime, o bir, ishte si pika e ujit mbi gur të nxehtë. Avullonte para se të arrinte t’i prekte. Unë u thosha: “Pse bëni atë që nuk e ka bërë askush para jush në gjithë botët?” . Ata qeshnin. Sepse për ta, e reja ishte e bukura. Nuk e dinin se ka të reja që të vrasin.

Unë: Pikërisht për këtë dua të di. Populli yt… Sodoma dhe Gomorra, siç i thonë. Çfarë ndodhi me ta që Zoti i përmend në kaq shumë sure?

Luti a.s.: (Ngrihet dhe merr një grusht pluhur që e lë të rrjedhë ngadalë) Shiko këtë pluhur, o bir. Dikur ishte gur, dikur ishte shtëpi, dikur ishte njeri. Por kur njeriu e humb kuptimin e qenies së tij, ai kthehet në pluhur më shpejt se guri. Ata ishin popull që Zoti u kishte dhënë çdo gjë: tokë pjellore, ujë të bollshëm, mendje të ndritur. Por ata e përdorën mendjen jo për të kërkuar të Vërtetin, por për të shpikë të reja në të shëmtuarën. Ata thanë: “Na sill dënimin e Zotit, nëse je i sinqertë!” . Nuk e dinin se dënimi nuk thirret, ai vjen kur ti e ke ftuar vetë me veprat e tua.

Unë: Thuhet se ata ishin të parët që praktikuan atë ves të shëmtuar. Por pse pikërisht ata?

Luti a.s.: (Psherëtimë e gjatë) Sepse ata kishin tepricë në çdo gjë. Toka u jepte më shumë se ç’u duhej, dhe teprica i prishi. Kur njeriu ka gjithçka, ai fillon të kërkojë atë që s’duhet. Ata nuk lakmonin gratë, por burrat . E kishin hedhur poshtë ligjin e natyrës që Zoti e ka ngulitur në çdo krijesë: çiftet, dashurinë, vazhdimin e jetës. Ata donin kënaqësi pa përgjegjësi, epsh pa fryt. Dhe kur njeriu ndan kënaqësinë nga përgjegjësia, ai ndan veten nga njerëzimi.

Unë: Dhe ti jetoje mes tyre. Si ishte të jesh i vetmi i pastër në mes të ndyrësisë?

Luti a.s.: (Sytë i ngrihen nga qielli, pastaj bien përsëri) Unë kisha Sarenë, gruan time të parë, por ajo mbeti me Ibrahimin kur unë u nisa për në ato qytete. Pastaj Zoti më dhuroi një grua tjetër. Dhe kjo grua… (zëri i dridhet) ajo ishte nga ata. Jo se praktikonte atë ves, por ajo ishte me ta në zemër. Ajo u tregonte atyre se kush vinte tek unë, çfarë u thosha miqve të mi . Ajo ishte tradhtia ime më e madhe, o bir. Sepse më e rëndë se armiku që të sulmon, është ai që të do dhe të tradhton.

Unë: Gruaja jote? Pse?

Luti a.s.: Sepse ajo nuk e kuptonte pse unë nuk pranoja të jetoja si ata. Ajo mendonte se unë isha i ngurtë, i vjetër, i pazhvilluar. Ajo shikonte fqinjët e saj dhe thoshte: “Pse nuk jemi si ata? Pse nuk festojmë si ata? Pse nuk pranojmë atë që bota po pranon?”. Dhe unë i thosha: “Bota nuk është masë e së vërtetës. E vërteta është masa e botës”. Por ajo nuk dëgjonte. Dhe kur erdhën engjëjt, unë e dija se ajo do të shikonte pas.

Unë: Engjëjt… Si ishte kur erdhën?

Luti a.s.: (Sytë i shkëlqejnë fort) Ata erdhën në trajtë njerëzish, djem të bukur, aq të bukur sa rrezikonin të zgjonin epshin e atij populli. Unë u thashë: “O miq, këtu nuk është vend i sigurt. Populli im është i prishur” . Por ata thanë: “Mos ki frikë, ne jemi të dërguar të Zotit tënd” . Atë natë, unë i fsheha në shtëpinë time. Por gruaja ime ua tregoi fqinjëve . Dhe ata erdhën, burrat e qytetit, duke vrapuar si të çmendur. Unë dola para tyre dhe u thashë: “O populli im, këtu janë bijat e mia, martohuni me to, ato janë më të pastra për ju!” . Por ata më thanë: “Ti e di se ne nuk kemi nevojë për bijat e tua. Ti e di se çfarë duam ne” .

Unë: Bijat e tua? Ti u ofrove atyre vajzat e tua?

Luti a.s.: (Psherëtimë e thellë) Ato nuk ishin bijat e mia të vërteta, o bir. Ishin vajzat e popullit tim, sepse pejgamberi është baba i popullit të tij. Unë u thashë: “Merrni gratë tuaja, jetoni me to, ndërtoni familje. Pse doni atë që s’është për ju?” Por ata më thanë: “Ti e di se ne nuk kemi të drejtë mbi bijat e tua” . Dhe unë pashë se ata nuk donin grua, donin burra. Nuk donin familje, donin epsh. Nuk donin jetë, donin vdekje të ngadaltë.

Unë: Dhe atëherë engjëjt zbuluan identitetin e tyre?

Luti a.s.: Po. Ata thanë: “O Lut, ne jemi të dërguarit e Zotit tënd. Ata nuk do të arrijnë te ti. Ik me familjen tënde natën, nga mbrapa, dhe askush prej jush mos të shikojë pas, përveç gruas tënde. Ajo do të goditet nga ajo që do t’i godasë ata” . Dhe unë dola me ato pak shpirtra që më kishin besuar. Fëmijët e mi, besimtarët e paktë. Dhe kur dola jashtë qytetit, pashë një dritë që vinte nga qielli. Nuk ishte dritë e zakonshme. Ishte zemërimi i Zotit i veshur me flakë.

Unë: Çfarë ndodhi me ta?

Luti a.s.: (Zëri i tij tani përzihet me fërshëllimën e erës) Engjëlli Xhibril, paqja qoftë mbi të, ngriti ato qytete me majën e krahut të tij deri në qiell, pastaj i përmbysi . Një britmë e tmerrshme, një tërmet që shkundi themelet e tokës, dhe pastaj gurë nga qielli, gurë balte të pjekur, që binin si shi . Çdo gur kishte emrin e atij që do të godiste. Dhe unë dëgjova britmat e tyre, por nuk mund të bëja asgjë. Gruaja ime shikoi pas, donte të shihte se çfarë ndodhi me fqinjët e saj, me shoqet e saj, me jetën që kishte zgjedhur . Dhe ajo mbeti atje, e kthyer në gur kripe, si gjithë të tjerët.

Unë: Pse Zoti zgjodhi pikërisht këtë dënim? Tokën që përmbyset, gurët nga qielli?

Luti a.s.: Sepse ata kishin përmbysur natyrën, o bir. Burri që bëhet si gruaja, gruaja që bëhet si burri, kuptimi që përmbyset. Prandaj Zoti përmbysi mbi ta tokën. Ata kishin harruar se ka një qiell mbi ta, dhe nga ai qiell vjen jo vetëm shiu, por edhe drejtësia. Gurët e balta ishin si veprat e tyre: vepra të rënda, pa shpirt, që binin mbi ta pa mëshirë.

Unë: Dhe pas asaj dite, ti vazhdove të jetosh. Si ishte jeta pas gjithë atij shkatërrimi?

Luti a.s.: Unë shkova te Ibrahimi, xhaxhai im, në Palestinë . Qëndrova pranë tij, pashë fëmijët e tij, Is’hakun dhe Ismailin, dhe kuptova se jeta vazhdon. Se Zoti nuk e shkatërron për të shkatërruar, por për të pastruar. Unë nuk u martova më. Disa thonë se varri im është në fshatin Beni Na’im, afër Hebronit . Por unë nuk jam aty. Unë jam në çdo lot që derdhet për një fëmijë të humbur në rrugë të shtrembër. Unë jam në çdo nënë që lutet për djalin e saj që ka humbur veten.

Unë: Dhe ne sot? Ne që shohim përhapjen e këtij vesi në çdo cep të botës, në çdo ekran, në çdo libër?

Luti a.s.: (Ngrihet dhe shikon nga horizonti ku dielli po perëndon) Unë shoh të njëjtën gjë, o bir. Njerëzit thonë: “Kjo është liri”. Por liria nuk është të bësh atë që do trupi yt. Liria është të zgjedhësh atë që do shpirti yt. Ata e quajnë përparim atë që unë e pashë si shkatërrim. Ata ngrenë flamuj me ngjyra që unë i pashë vetëm në gurët e dënimit . Dhe më e keqja, o bir, është se ata duan që të gjithë të jenë si ata. Kush nuk pajtohet, quhet i prapambetur, fanatik, i rrezikshëm.

Unë: Po ashtu siç të quanin ty dhe familjen tënde.

Luti a.s.: (Buzëqesh me hidhësi) Po. Ata thoshin: “Dëboni familjen e Lutit nga qyteti! Ata janë njerëz që pastrohen!” . Pastërtia ishte krimi im më i madh. Dhe unë pashë se Zoti im i ruajti ata që u pastruan, dhe i shkatërroi ata që u ndotën. Dhe kjo është e vërteta që nuk ndryshon, pavarësisht se sa ndryshojnë kohët.

Unë: Çfarë duhet të bëjmë ne sot? Si t’i qëndrojmë valës që po vjen?

Luti a.s.: (Merr një gur të vogël nga toka dhe ma jep) Mos u bëni si ata që gjykonin dhe dënonin pa mëshirë. Por mos u bëni as si ata që pranuan gjithçka nga frika se mos quheshin të vjetër. Rrini në mes, si unë. Thirrni me butësi, por mos u lodhni duke thirrur. Dhe kur të shihni se ata nuk duan të dëgjojnë, largohuni. Jo nga frika, por nga urtësia. Sepse Zoti nuk të kërkon të shpëtosh ata që nuk duan të shpëtohen. Ai të kërkon të dëshmosh të vërtetën. Dhe dëshmia jote mbetet, edhe kur ata zhduken.

Unë: Një fjalë të fundit për ata që do ta lexojnë këtë bisedë?

Luti a.s.: (Filloi të bëhet i tejdukshëm, duke u përzier me ngjyrën e gurëve të kripur) Thuaju: Mos e ngatërroni dashurinë me epshin. Dashuria ndërton shtëpi, epshi i djeg ato. Dashuria lind fëmijë, epshi vret shpirtra. Mos lejoni që bota t’ju mësojë se e keqja është e mirë dhe e mira e keqe. Sepse kur ta keni përmbysur të vërtetën aq shumë sa të mos e njihni më, atëherë do të vijë dita kur toka do të përmbyset mbi ju. Dhe në atë ditë, nuk do të ketë më kthim pas. Ashtu siç nuk pati për gruan time.

(U zhduk si një re tymi në erë, duke lënë pas vetëm një gur të vogël në pëllëmbën time dhe një kujtim se diku, në një cep të historisë, një njeri kishte dashur t’i shpëtonte ata që nuk donin të shpëtoheshin. Dhe unë kuptova se çdo qytet që ngrihet sot, mund të bëhet Sodomë nesër, nëse njerëzit harrojnë se ka një qiell mbi ta.)

MARKETING